ATK Mirëpret Vlerësimin nga Banka Botërore

Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) përmes njoftimit të publikuar në faqen zyrtare të saj, thotë se mirëpret vlerësimin që Banka Botërore (BB) e ka bërë në raportin e saj “Doing Business 2017”.

ATK-në, Banka Botërore e radhit në vendin e 43-të nga 190 vende të botës, për të cilat përpilohet ky raport.

ATK-ja thotë se përkushtohet për avancim të mëtejmë.

“ATK, e mirëpret këtë vlerësim nga Banka Botërore duke radhitur ATK në pozitën e 43 nga 190 vende (sisteme tatimore) dhe do të vazhdojë edhe me tutje me reforma, me qëllim të avancimit të ambientit të të bërit biznes,  në veçanti që pagesa e tatimeve të jetë me një kosto minimale,” thuhet në njoftimin e ATK-së

Në vitin e kaluar ATK-ja ishte në vendin e 77-të për t’u ngritur për 34 vende më lart.

ATK-ja thotë se sistemi elektronik dhe reformat e ndërmarra prej saj ndikuan në këtë vlerësim

“Ky ndryshim signifikant ka ardhur si rezultat i shumë reformave të ndërmarra në ATK, e veçanërisht finalizimit të sistemit elektronik për deklarimin dhe pagesën e tatimeve online,” sqaron njoftimi.

Dy ditë më parë Banka Botërore publikoi raportin e të bërit biznes “Doing Business 2017”, ku Republika e Kosovës radhitet në vendin e 60, apo për katër vende më mirë se në vitin e kaluar.