Nga një prezantim i ATK-së

ATK-ja do të Publikojë Emrat e Borxhlinjve

Administrata Tatimore e Kosovës planifikon t’i publikojë emrat e atyre që i kanë borxh.

Publikimin e borxhlinjve pas një shkurtit ATK-ja e bëri të ditur nëpërmjet një njoftimi në faqen e saj të internetit.

Në njoftim ATK-ja ftoi tatimpaguesit t’i kryejnë obligimet e tyre me qëllimin që t’i ikin publikimit të emrave.

“ATK inkurajon të gjithë këta tatimpagues që t’i kryejnë obligimet e tyre, të cilat janë të përcaktuara me dispozitat e legjislacionit tatimor, me që pas datës së lartcekur, do të bëhet publikimi i listave dhe do të ndërmerren veprime ligjore, të cilat parashihen në mbledhjen e tatimeve sipas legjislacionit tatimor”, thuhet në njoftimin e ATK-së.

ATK-ja në njoftim tregon edhe pse duhet paguar tatimet, duke thënë se me këto pagesa kontribuohet direkt në ofrimin e shërbimeve më të mira publike, arsimimin me standarde më të larta, mirëqenien shëndetësore e sociale, mbrojtjen ligjore dhe sigurinë dhe mirëqenien ekonomike e shoqërore.