Ilustrim - Kuponët fiskal

ATK e Befasuar me Fluksin e Kuponëve Fiskalë

Ka kaluar më shumë se një vit që kur qytetarët e Kosovës grumbullojnë kuponët fiskalë dhe rimbursohen çdo tre muaj sipas kategorive të lartësisë së vlerave të këtyre kuponëve.

Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) e filloi fushatën me një udhëzim administrativ i cili hyri në fuqi në qershor të vitit 2015, por rimbursimet e para për kuponët e mbledhur u bënë në prill, maj dhe qershor të atij viti.

Që nga ajo kohë ATK pesë herë në baza tre mujore ka shpërndarë mjete monetare në xhirollogaritë private të qytetarëve për rimbursimin e kuponëve të grumbulluar, e qytetarët janë në pritje të rimbursohen për të gjashtën herë në baza tre mujore.

Me rreth 7.8 milionë të shpërndara deri më tani te mbledhësit e kuponëve, në ATK e pranojnë se shuma e shpërndarë te qytetarët ka tejkaluar pritshmëritë e tyre.

Valentina Bytyçi- Sefa nga Zyra e Komunikimit të ATK-së tha për KALLXO.com se ky institucion konsideron se ka arritur të përcjell mesazhin tek çdo familje për qëllimin e kësaj fushate.

“Për këtë parametër matës marrim interesimin jashtëzakonisht të madh të qytetarëve për të aplikuar për rimbursim nga kuponët fiskalë. Që nga fillimi i kësaj fushate e deri më tani kemi rimbursuar 438 mijë e 660 qytetarë me 7.8 milionë euro, shifrat që i kanë tejkaluar pritshmëritë tona”, tha Bytyçi- Sefa.

Sipas ATK-së në çdo periudhë të krahasuar, është vërejtur rritje e vazhdueshme e interesimit nga ana e qytetarëve për dorëzimin e kuponëve fiskalë, që ka dhënë efektet e veta në procesin e fiskalizimit për çka edhe është nisur kjo fushatë.

Qytetarët janë në pritje se kjo formë e rimbursimit do të ndryshojë por ATK-ja ende nuk ka marrë ndonjë vendim për ndryshime eventuale për mënyrën e rimbursimit të qytetarëve që dorëzojnë kuponë fiskalë.

“ATK ende nuk ka marrë ndonjë vendim rreth ndryshimit të fushatës për rimbursim nga kuponët fiskalë, mirëpo momentin që do të kemi diçka, sigurisht që qytetarët do t’i njoftojmë me kohë. Andaj, përderisa nuk kemi ndonjë vendim rimbursimi nga kuponët fiskalë do të vazhdohet në këtë mënyrë” tha Valentina Bytyçi- Sefa.