Jahjaga në Liberi

Atifete Jahjaga Vëzhgoi Zgjedhjet në Liberi

Atifete Jahjaga, ish- presidentja e Kosovës ishte bashkëudhëheqëse e delegacionit të NDI-së, një organizate joqeveritare që vëzhgoi zgjedhjet presidenciale në Liberi.

Për pjesëmarrje në vëzhgimin e këtyre zgjedhjeve në Liberi, Jahjaga shkroi në facebook.

“Përfundova misionin tim si bashkë-udhëheqëse e delegacionit vëzhgues të NDI të raundit të dytë të zgjedhjeve presidenciale në Liberi”, shkroi Jahjaga.

Ajo tregoi me kë ishte në delegacion.

“Pjesë e delegacionit udhëheqës ishin edhe ish-presidenti i Nigerisë, z. Goodluck Jonathan, ish ministrja e jashtme e Ganës, znj. Hanna Tetteh, dhe drejtori rajonal i NDI për Afrikë, z. Christopher Fomunyoh”, tregoi Jahjaga.

Ajo tha se për herë të parë në këtë shtet afrikan, pushteti kaloi nga një president i zgjedhur në mënyrë demokratike te tjetri.

Ndihem e privilegjuar që u bëra dëshmitare e një momenti historik për shtetin e Liberisë, me ç’rast për herë të parë në më shumë se 70 vite, pushteti qeverisës kalon prej një presidenti të zgjedhur në mënyrë demokratike në tjetrin”, shkroi Jahjaga.

Ajo zgjedhjet presidenciale në Liberi i konsideroi “të organizuara mirë dhe në atmosferë paqësore”, ndërsa shfaqi shpresën se gjetjet e vëzhguesve të NDI-së “do t’u ndihmojnë autoriteteve lokale në adresimin e mangësive për t’i shërbyer konsolidimit të mëtejmë demokratik të Liberisë”..

Zgjedhjet presidenciale të zhvilluara dje në Liberi i fitoi ish-futbollisti George Weah.

Presidente e Liberisë para Weah ishte e para grua afrikane në këtë pozitë Ellen Johnson Sirleaf.