Asnjë i Dyshuar për Incidentin në “Kobra City”

Kanë kaluar mbi dhjetë ditë nga sulmi në klubin e natës “Kobra City”, në periferi të Prizrenit, dhe Policia e Kosovës ende nuk ka arritur të identifikojë kryesit.

Në orët e mëngjesit të 28 janarit persona të maskuar kishin sulmuar dy rojet dhe në fund i kishin vënë zjarrin objektit.

Zëdhënësi i Policisë Regjionale të Prizrenit, Hazir Berisha, tha për KALLXO.com se janë disa pista të hetimit, mirëpo deri më tani nuk ka asnjë person të dyshuar.

“Jemi në disa pista të hetimit. Kemi intervistuar shumë persona, duke përfshirë edhe të dëmtuarit. Kemi pyetur për problemet e mundshme, po ashtu kemi siguruar edhe video-pamjet nga kamerat e lokalt të ditës kritike dhe hetuesit janë duke u munduar që të gjejnë diçka nga ato pamje. Mirëpo, deri më tani nuk kemi asgjë konkrete, nuk kemi asnjë të dyshuar” tha Berisha.

KALLXO.com, ditën kritike, pas sulmit, kishte zhvilluar intervistë ekskluzive me Uran Badallajn, njëri nga viktimat, i cili kishte rrëfyer për sulmin dhe djegien e lokalit “Kobra City”.

http://kallxo.com/kobrat-rrefehen-pas-zjarrit/

Sipas Badallajt, i cili punon si roje i valltares Donjeta Kasumit – Kallashit, rreth orës 4 të mëngjesit dy persona të maskuar e të armatosur kishin hyrë në lokal dhe e kanë sulmuar atë dhe një koleg të tij.

Sipas rrëfimit të tij, sulmuesit i kishin lidhur dhe i kishin rrahur me kondakë të pushkëve. Pasi i kanë nxjerrë jashtë, Badallaj ka thënë se ka parë 20 veta të armatosur me “Kallashnikov”.