Asfalti i Harruar për Lagjen e Skivjanit

Tre vjet më parë në këtë lagje në kohën e qeverisjes së Pal Lekajt kishin filluar punimet për të mos përfunduar deri në ditët e sotme.

“Kjo rrugë ka fillu me u ndërtu në vitin 2013 kur ka fillu edhe projekti për rrugët e Skivjanit në vlerë 800 mijë euro, në atë kohë ka qenë kryetar Pal Lekaj,” thotë Ramiz Tolaj, banor i lagjes.

Tolaj ankohet se pushteti i ri lokal vetëm e keqësoi gjendjen e rrugës me punët që kreu në të.

“Menjëherë përmas janë ndërpre punimet në këtë rrugë. Në vitin 2014 zgjedhjet që kanë ardhë, pushteti i ri Mimoza me partinë e vet, në vjeshtën e vonë të vitit 2014 kanë fillu me një pjesë te do gypa që i kanë shti duke i lutë që të paktën ta bajnë rrugën të kalueshme, se pas grrymjes faktikisht rruga ka qenë e pakalueshme,” shpjegon ai.

Tolaj thotë se edhe punimet e vitit 2014 u ndërprenë pa finalizuar shtrimin me asfalt.

“Janë ndërpre punimet edhe në vitin 2014 edhe përkundër premtimeve që kryetarja e komunës ka premtu që do ta asfaltojmë,” thotë Tolaj.

Këto punë të pakryera e shqetësojnë Tolajn.

“Vërejtja më e madhe është se krejt pusetat kanë met të çelta, kanalizimi që është i bamë, ka nisë me u mbush me gurë, kështu që ujërat e zeza nuk janë ka tërheqen edhe rreziku është me ra fëmiu se krejt janë çelë,” thotë Tolaj.

Zyrtarja për informim e Komunës së Gjakovës Abetare Domi thotë se punimet në këtë lagje të Skivjanit janë ndërprerë për mungesë mjetesh.

“Për shkak të mungesës buxhetore është dashur të ndërpritet [puna],” thotë Domi.

Ajo shpjegon se pushteti i kaluar lokal punët këtu i filloi në kohë zgjedhjesh.

“Punimet në këtë lagje kanë filluar në kohën e zgjedhjeve siç kanë filluar edhe shumë rrugë të tjera në komunën e Gjakovës në fund të vitit 2013 dhe mënjëher pas zgjedhjeve komuna ka bërë identifikimin e shumë projekteve të cilat kanë filluar pa planifikim buxhetorë, ndër to ka qenë edhe lagjeja “Tolaj” në fshatin Skivjan,” tha Domi.

KALLXO.com e kontaktoi edhe Pal Lekajn, ish-kryetarin e Gjakovës, por ai ishte i zënë për të komentuar në lidhje me ankesat e banorëve të lagjes Tolaj. [interaction id=”56bf45873c42ab681c864f93″]