Pamje nga një seancë e Asamblesë Komunale të Drenasit - Foto: Facebook

Asamblistja e Nismës Kalon në PDK

Një asambliste komunale nga radhët e Nismës për Kosovën ka njoftuar se është kthyer në partinë të cilës bashkë me familjen e saj i ka përkitur – PDK-së.

Përmes një postimi në profilin e saj në “Facebook”, asamblistja komunale e Drenasit, Malsore Cakiqi, ka njoftuar se i bashkohet grupit të asamblistëve të PDK-së dhe se këtë e bën për arsye të shumta.

Cakiqi ka thënë se me familjen e saj kishin kaluar në Nisma pas “defekteve të rënda” që sipas saj i kishin vërejtur në kryesinë e degës së PDK-së në Drenas.

“Duke menduar se mund të bëjmë ndonjë ndryshim në komunën tonë, jemi anëtarësuar në Nisma për Kosovën. Për fat të keq, këtu në Nisma, zhgënjimin e patëm edhe më të madh”, ka shkruar Malsore Cakiqi.

Ajo thotë se gati të gjithë “profiterët dhe pazarxhinjtë politikë“ shkaku i të cilëve ishte larguar nga PDK kishin kaluar në Nisma.

“Në këtë gjendje, duke parë punën e jashtëzakonshme të kryetarit të komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, rikthimin e besimit të qytetarëve në institucione dhe zbatimin e ligjit, me bindje dhe vullnet, aderoj si asambliste nga grupi parlamentar i Nismës në PDK”, ka shkruar ajo.