Vendimi i AKK-së për Branisllav Milosavleviqin - Foto: KALLXO.com

Asamblisti i Zveçanit në Konflikt Interesi

Branisllav Milosavleviq, asamblist i Kuvendit Komunal të Zveçanit, është gjetur në konflikt interesi nga Agjencia Kundër Korrupsion (AKK).

Në vendimin e saj që konstaton konfliktin e interesit të asamblistit, Agjencia argumenton se Milosavleviq është këshilltar i Kuvendit Komunal dhe njëkohësisht pronar i biznesit privat “Bane”.

Në vendim thuhet se Agjencia do të kërkojë nga institucioni ku Milosavleviq punon që ta fillojë procedurën për shkarkimin e tij si dhe do të kërkojë fillimin e procedurës për kundërvajtje nga gjykata kompetente.

Në arsyetimin e vendimit thuhet se zyrtari i lartë fillimisht është njoftuar me një shkresë zyrtare nga AKK për fillimin e shqyrtimit të gjendjes së mundshme të konfliktit të interesit, ku i është bërë e ditur se gjatë ushtrimit të funksionit publik si zyrtar i lartë nuk mund të jetë pronar aktiv dhe menaxher në biznese private.

Në arsyetimin e Agjencisë më tutje thuhet se këtij zyrtari i është dërguar edhe një shkresë paralajmëruese me të cilën njoftohet për situatën që gjendet dhe masat e tjera që mund të pasojnë nëse gjendja nuk ndryshon.

Agjencia Kundër Korrupsion konstaton se Milosavleviq nuk ka ndërmarrë veprimet e kërkuara për të shmangur konfliktin e interesit në ushtrimin e funksionit publik.

Kjo Agjenci për këtë arsye thotë se do të kërkojë nga institucioni ku zyrtari i lartë ushtron funksionin publik që të fillojë procedurën për shkarkimin e tij.