Asamblisi i Vetëvendosjes, Misim Bajrami, i bashkohet PDK-së - Foto: PDK

Asamblisti i VV-së i Bashkohet PDK-së

Asamblisti i Kuvendit Komunal të Prishtinës tha se pakënaqësia e banorëve të Hajvalisë me qasjen e Vetëvendosjes në Prishtinë  dhe skandalet e tyre, të cilat kanë shpërthyer këto javë, kanë bërë që ai reflektojë dhe t’i bashkohet PDK-së.

“Unë si asamblist dhe si pjesë e deritashme e Vetëvendosjes turpërohem me punësimet partiake të militantëve të dhunshëm të tyre në ndërmarrjet publike, me aferat korruptive në sektorin e ndërtimeve, me degradimin e arsimit dhe me injorimin e vazhdueshëm të kuadrove nga Prishtina. Pra, ndjehem i tepërt të vazhdojë të qëndroj më tutje si pjesë e një partie, e cila me taksat e qytetarëve të Prishtinës financon aktivitetet e kundërligjshme të grupeve të dhunshme të tyre”, tha Bajrami në një konferencë për media të degës së PDK-së në Prishtinë.

Ndërsa, kreu i degës së PDK-së në kryeqytet, Lirak Çelaj, tha se qeverisja e Shpend Ahmetit,  e cila sipas tij administratën e ka mbushur përplot me “militantë të dhunshëm” të Vetëvendosjes, kurse taksat e prishtinasve ua ka dhënë kompanive të afërta me Vetëvendosjen, i ka zhgënjyer asamblistët e Vetëvendosjes dhe ka prej tyre që po i bashkohen Partisë Demokratike në Prishtinë.