Objekti i Komunës së Deçanit | Foto: KALLXO.com

Asambleja Kundër Likuidimit të ‘Apikos’ dhe ‘Ilirisë’

Përmes një deklarate të përbashkët  të nxjerrë nga të gjitha subjektet politike në seancën e jashtëzakonshme në Asamblenë Komunale të Deçanit  është kundërshtuar likuidimi i ndërmarrjeve “Apiko” dhe “Ilria” nga Agjencia Kosovare e Privatizimit.

Deklarata kundërshtuese e mbështetur nga të gjitha subjektet politike të Kuvendit Komunal të Deçanit përmban shtatë pika, ndërsa në secilën prej tyre kërkohet nga AKP-ja dhe bordi i saj të pezullojë vendimin për likuidimin e dy ndërmarrjeve shoqërore.

Në deklaratë thuhet vendimi i AKP-së për likuidimin e ndërmarrjeve “Apiko” dhe “Iliria” është i papranueshëm për Komunën e Deçanit dhe banorët e saj.

“Ky vendim që ka të bëjë me likuidimin është në kundërshtim me interesat e Komunës së Deçanit dhe qytetarëve të saj dhe bie ndesh me interesin e veçantë të shpallur nga Komuna Deçanit në vitin 2011,të cilin vendim po e ritheksojmë edhe njëherë në mbledhjen e jashtëzakonshme të mbajtur me datë 11/04/2017,” thuhet në pikën e dytë të deklaratës .

Pika tre e deklaratës i kërkon AKP-së pezullimin e procesit të likuidimit të “Apikos” dhe “Ilirisë”.

Kurse, në pikën katër dhe pesë kërkohet nga AKP-ja të kthehen edhe pronat e ndërmarrjeve në fjalë dhe interesi jetik i qytetarëve të kësaj komune për zhvillimin ekonomik dhe turizmit.

Në vitin 1997 nga Qeveria e Serbisë që atëherë administronte Kosovën, Manastirit mesjetar të Deçanit i ishin dhënë si dhuratë 24 hektarë tokë të këtyre ndërmarrjeve.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës në maj të vitit të kaluar lidhur me këto toka vendosi në favor të manastirit, ndërsa ky vendim i kushtetueses nuk po pranohet nga pushteti lokal i Deçanit.

http://kallxo.com/kushtetuesja-e-pranueshme-kerkesa-e-manastirit/

Pika e fundit e deklaratës thotë se në rast të veprimeve të kundërta me interesat e qytetarëve të Deçanit e bëjnë AKP-në përgjegjëse të vetme.

Javën e kaluar KALLXO.com raportoi për nxjerrjen e ndërmarrjeve “Apiko” dhe “Iliria” të Deçanit në listën e Agjencisë Kosovare të Privatizimit në procesin e likuidimit.

Zyrtarët komunalë dhe shoqëria civile e Deçanit thanë së likuidimi i këtyre dy ndërmarrjeve është bllokim për zhvillimin e kësaj komune.

Kurse zyrtarë të AKP-së thanë se ua kanë shpjeguar zyrtarëve komunalë procesin e likuidimit të këtyre dy ndërmarrjeve.

http://kallxo.com/likuidimi-apikos-dhe-ilirise-shihet-si-bllokim-decanit/