Objekti i Komunës së Mitrovicës | Foto: KALLXO.com

Asambleja e Mitrovicës Mblidhet për Murin

Asambleja e Mitrovicës nesër do të mblidhet në një seancë të jashtëzakonshme për të diskutuar rreth murit të ndërtuar në veri të qytetit në kuadër të projektit për ndërtimin e një shëtitoreje.

Lajmin për këtë takim e bën të ditur dega në Mitrovicë e Partisë Demokratike të Kosovës, si nismëtare e kësaj mbledhjeje.

Sipas këtij subjekti, seanca e jashtëzakonshme ku do të diskutohet për murin do të zhvillohet nesër me fillim në orën 11:00.

Kërkesën për seancë të jashtëzakonshme sipas degës së PDK-së e kanë nënshkruar 14 asamblistë, nga 35 sa i ka Komuna e Mitrovicës.

Sipas Ligjit për Vetëqeverisje Lokale, seancë të jashtëzakonshme mund të kërkojnë me shkrim së paku një e treta e numrit të përgjithshëm të asamblistëve.

Muri në veri pak përtej urës së Ibrit nisi të ndërtohej me arsyetimin se do të shërbejë për nivelizim të shëtitores për këmbësorë që është paraparë me marrëveshjen e Brukselit.

Goran Rakiq, kryetari i Mitrovicës Veriore tha për KALLXO.com të shtunën se muri do të zvogëlohet, ndërsa tregoi se shëtitorja është projekt i Qeverisë së Serbisë, ndërsa revitalizimin i urës së Ibrit projekt i BE-së.

http://kallxo.com/rakiq-muri-te-zvogelohet/

Ministria e Ambientit ndaloi punimet në këtë mur para pesë ditësh.

http://kallxo.com/ndalen-punimet-te-muri-ibrit/

Shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë Natalya Apostolova kur foli dje për KALLXO.com bëri thirrje që të zbatohet me shpejtësi marrëveshja për revitalizimin e urës së Ibrit dhe ndërtimin e shëtitores për këmbësorë në Rrugën “Mbreti Petar”.

http://kallxo.com/bashkimi-europian-u-druhet-vonesave-ne-revitalizimin-e-ures-se-ibrit/