Arkiv - Pamje nga mbledhja e jashtëzakonshme e Asamblesë Komunale të Deçanit – Foto: KALLXO.com

Asambleja e Deçanit Kërkon Lirimin e Ramush Haradinajt

Asambleja Komunale e Deçanit ka mbajtur sot seancë të jashtëzakonshme në lidhje me rastin e arrestimit në Francë të liderit të AAK-së, Ramush Haradinaj.

Në këtë seancë nga grupet parlamentare të Asamblesë dhe ekzekutivi u nxor një deklaratë e përbashkët prej 6 pikave, ku ndër të tjera kërkohet nga Qeveria e Kosovës të pezullojë procesin e dialogut me Serbinë deri në konfirmimin se ky vend ka tërhequr të gjitha fletarrestet ndërkombëtare për të gjithë pjesëtarët e UÇK-së dhe nga organet e drejtësisë franceze kërkohet që me procedura të përshpetuara të shqyrtojë rastin Haradinaj, gjegjësisht keqpërdorimin e INTERPOL-it nga Serbia dhe që deri në marrjen e vendimit për refuzimin e kërkesës të një shteti të tretë, në këtë rast të Serbisë, Haradinaj të lihet i lirë.

Gjatë seancës, Enver Osdautaj nga AAK-ja tha së është e papranueshme që në listat e INTERPOL-it të figurojë emri i Ramush Haradinajt vetëm pse do shteti serb.

“Është e papranueshme që ende të mbahet emri i Ramush Haradinajt në listat e INTERPOL-it me aktakuza serbe. Kërkojmë nga institucionet vendore dhe ndërkombëtare që këto lista të shpallen të pavlefshme dhe mos të përfillen këto akuza”, tha Osdautaj.

Ndërsa, në emër të grupit të këshilltarëve të PDK-së foli Xhevdet Hasanmetaj, i cili përveç lirimit të Ramush Haradinajt kërkoi që mos të kërkohet armik tjetër përveç shtetit serb lidhur me fletarrestin e ndaj liderit të AAK-së.

“Kosova e ka një armik dhe ai armik i Kosovës është Serbia. Në bazë të fletarrestit të Serbisë është arrestu (Ramush Haradinaj) dhe nuk ka diçka tjetër që mund të thuhet rreth kësaj, mos të mundohemi të krijojmë armiq tjerë të brendshëm sepse armiku i Kosovës është Serbia”, tha Hasanmetaj.

Asamblistët e LDK-së nuk kanë marrë pjesë në këtë seancë.

Kryetari i Komunës së Deçanit, Rasim Selmanaj, tha se nuk e di arsyen pse këshilltarët e LDK-së nuk morën pjesë në seancën e jashtëzakonshme.

Ndryshe, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj është arrestuar më 4 janar nga autoritetet franceze në bazë të një fletarresti ndërkombëtar të lëshuar nga Serbia më 2004.

http://kallxo.com/arrestohet-ne-france-ramush-haradinaj/

Me urdhër të gjykatës së apelit të qytetit Colmar, Haradinaj është dërguar në paraburgim në pritje të një kërkese zyrtare nga Serbia për ekstradimin e ish-komandantit të UÇK-së në Beograd. Gjykata do ta shqyrtojë po ashtu vlefshmërinë juridike të kësaj kërkese.

http://kallxo.com/franca-e-mban-haradinajn-ne-paraburgim/