Asambleisti i VV-së Tregon Pse i Hoqën Flamujt e Shtetit nga ‘Zahir Pajaziti’

Egzon Azemi, Asamblist i Lëvizjes Vetëvendosje në Komunën e Prishtinës është rrëfyer mbi largimin e flamujve të Kosovës mbrëmë nga shtatorja e dëshmorit ‘Zahir Pajaziti’.

Ai përmes një postimi në Facebook tha se këtë e kanë bërë pa koordinimin me LVV-në sipas tyre në shenjë proteste për mungesën e flamurit kombëtar

“ Zahir Pajaziti dhe dëshmorët e tjerë dhanë jetën për flamurin kombëtar, andaj nuk është turp pse ne i hoqëm flamujt e Ahtisaarit, por turp është që institucionet tona po tentojnë që edhe dëshmorëve të u’a largojnë flamurin kuq e zi, se nga çdo institucion e kanë larguar tash e sa kohë. Vendosni flamujt e imponuar sa të doni e ku të doni por jo mbi flamujt kombëtar, jo duke na zhveshur historinë të tentoni të krijoni komb artificial”, shkroi ai.

Ai shtoi se nuk kishin zgjidhje përpos këtij veprimi radikal për të ndalur ‘përdhosjen e famurit kombëtar’.

“Ne s’jemi kundër asnjë flamuri, por kurrë s’do lejojmë përdhosjen e flamurit kombëtar. Për flamurin kuq e zi janë burguosur e madje edhe janë vrarë shumë veprimtarë, por ky flamur ka qëndruar e do qëndroj. Ne e larguam flamurin kaltër e verdhë sepse kërkojmë që tek shtatorja e heroit “Zahir Pajaziti” të vendosët flamuri kombëtar. Kjo ishte e vetmja rrugë, sepse te institucionet tona fjalët nuk bëjnë punë”,shkroi ai.