Albin Kurti gjatë prezantimit të platformës në Mitrovicë - Foto: Facebook/albinkurti

Asambleistët e VV-së në Mitrovicë Nuk e Ndajnë 'Zemrën'

Qeverisja lokale në Mitrovicë duket se nuk do të ketë lëvizje sa i përket përkatësisë partiake në Kuvendin Komunal.

Mitrovica e cila udhëhiqet nga Agim Bahtiri në koalicion edhe me Lëvizjen Vetëvendosje nuk është prekur nga vala e dorëheqjeve nga partia e udhëhequr nga Albin Kurti.

Katër nga gjashtë asambleistët të cilët ka mundur t’i kontaktojë KALLXO.com kanë thënë se janë ende pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje dhe se vazhdojnë të përkrahin koalicionin qeverisës.

Faton Feka, Muhamed Pllana, Edona Bajrami dhe Izet Tahiri thanë se vazhdojnë të jenë pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje.

Izet Tahiri tha se asgjë nuk ka ndryshuar sa i përket asamblistëve në Mitrovicë dhe deklaroi se vazhdon të jetë pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje.

Po po gjithmonë jam në Vetëvendosje dhe me Vetëvendosjen dhe me Albin Kurtin. Asnjë asamblist dhe asnjë aktivist, deri me sot nuk është larguar”, tha Tahiri.

Asamblistja Edona Bajrami po ashtu u përgjigj shkurt : ‘Ne jemi pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje, jemi okay’.

Asambleisti Faton Feka deklaroi se ‘ I takoj Lëvizjes Vetëvendosje qysh kam qenë prej fillimi”.

Ndërsa, Muhamed Pllana tha se deri më tani nuk ka ndryshim sa i përket përkatësisë së tij politike.

“Unë akoma jam në Lëvizjen Vetëvendosje. Tash për tash nuk ka kurrfarë ndryshimi. Për momentin jam pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje”, tha Pllana

KALLXO.com megjithë përpjekjet nuk ka mundur të kontaktojë asamblistët Faton Ademin dhe Vlora Haxhi Mehmedi.

Lëvizja Vetëvendosje në muajt e fundit është përballur me një ‘valë dorëheqjesh’, nga aktivistët, udhëheqësit e strukturave të partisë, deputetët e Kuvendit të Kosovës dhe Kryetarët e Komunave të fituara nga LVV në zgjedhjet e fundit.

Grupi i ish-deputetëve të LVV-së tashmë kanë formuar një grup të ri parlamentar me 12 deputetë, të quajtur Grupi i Deputetëve të Pavarur.

http://kallxo.com/ish-deputetet-e-vv-se-ne-uleset-e-reja-ne-kuvend/