Murat Jashari | Foto: Facebook

Arsyetimi për Vazhdimin e Paraburgimit ndaj Murat Jasharit

Gjyqtarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Alltene Murseli, ua ka vazhduar edhe për dy muaj masën e paraburgimit Murat Jasharit dhe Avni Llumnicës si të dyshuar lidhur me sulmin ndaj avokatit Azem Vllasi më 13 mars të këtij viti.

KALLXO.com ka siguruar arsyetimin e Prokurorisë në kërkesën për vazhdimin e paraburgimit.

Sipas aktvendimit për caktimin e masës së paraburgimit, prokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, si një nga arsyet për vazhdimin e kësaj mase përmend faktin se nëse të dyshuarit do të ishin në liri, do të mund të përsërisnin veprën penale.

“Duke u bazuar në mënyrën dhe rrethanat në të cilën është kryer vepra penale nga fakti se i pandehuri Murat Jashari me vetëdije ka dashur ta privojë nga jeta Azem Vllasin duke e cilësuar tradhtar të çështjes kombëtare, ndërsa i pandehuri tjetër, Avni Llumnica, duke i ditur veprimet e Jasharit i ndihmon të njëjtit, ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit po të gjendeshin në liri të plotë do të mund të përsërisnin veprën penale”, citon aktvendimi për vazhdimin e paraburgimit kërkesën e Prokurorisë.

Si rrethanë tjetër nga Prokuroria në kërkesën për vazhdimin e paraburgimit përmendet edhe fakti se dy të pandehurit janë shtetas të Zvicrës dhe se po të gjendeshin në liri do të mund të arratiseshin me qëllim që t’i iknin përgjegjësisë penale për shkak se për veprën që dyshohen parashihet dënim i rëndë.

Duke pasur parasysh këto rrethana, gjyqtarja Murseli pranoi kërkesën e Prokurorisë për vazhdimin e paraburgimit ndërsa refuzoi propozimin për dorëzani të avokatit Naim Rudari që mbron të dyshuarin Avni Llumnica.

Lidhur me këtë vendim, avokati Rudari paralajmëroi se do t’i drejtohet me ankesë Gjykatës së Apelit.

Sipas Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se Murat Jashari më 13 mars 2017 rreth orës 7:45 të mëngjesit me dashje që ta privojë nga jeta avokatin Azem Vllasi, ish-udhëheqës i lartë i Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë, duke e cilësuar si tradhtar të çështjes kombëtare, e ka goditur me revole me shurdhues duke i shkaktuar lëndime të rënda.

http://kallxo.com/murat-jashari-mbetet-ne-paraburgim/

Sipas Prokurorisë, me këto veprime ekziston dyshimi i bazuar se Murat Jashari ka kryer veprën hakmarrje në tentativë.

Murat Jashari ishte arrestuar ditën e njëjtë kur kishte ndodhur sulmi ndaj Vllasit ndërsa një ditë më pas i ishte caktuar masa e paraburgimit.

http://kallxo.com/avokati-murat-jashari-ne-depresion/

http://kallxo.com/azem-vllasi-nuk-e-njoh-personin-qe-sulmoi/