Arsyetimi për Mungesën e Simboleve Shtetërore në Kllokot

Në objektin e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale ku janë të vendosur punonjësit e Komunës së Kllokotit nuk ka asnjë simbol shtetëror të Republikës së Kosovës, edhe pse kjo komunë është themeluar që 7 vjet.

Komuna e Kllokotit, 72 për qind të banorëve të së cilës janë serbë, u themelua në vitin 2009 bashkë me komunat Parteshit, Graçanicës dhe Ranillugut në bazë të Planit të Ahtisarit që parashikonte krijimin e komunave të reja në Kosovë.

Sreçko Spasiq nga Lista Serbe që është kryetar i Kllokotit, ndaj të cilit Prokuroria Themelore në Gjilanit ka  ngritur dy aktakuza, nuk pranoi të japë arsyet e tij pse institucioni që drejton nuk ka të vendosura simbolet shtetërore.

Nënkryetari për komunitete i Komunës së Kllokotit Hasan Rashiti tha për KALLXO.com se komuna nuk ndodhet në objektin e saj dhe kjo është arsyeja pse në objektin e përkohshëm nuk janë vendosur simbole shtetërore.

“Në objektin tjetër që kemi qenë kemi pasur një pllakat me simbole shtetërore, por tani që në këtë objekt jemi vetëm përkohësisht dhe deri sa të ndërtohet objekti i ri i cili do të jetë gati për 2-3 muaj, kemi mbetë kështu,” tha Rashiti.

Objekti i ri i Kuvendit Komunal të Kllokotit është duke u ndërtuar me fonde të Komisionit Evropian.

Asamblisti i Nismës Xhelal Rexhepi që në Kllokot ndodhet në opozitë, kur flet për KALLXO.com nuk pajtohet me fjalët e nënkryetarit Rashiti se simbolet shtetërore mungojnë, ngase komuna nuk është në objektin e saj.

Ai thotë se për mungesën e simboleve e ka pyetur edhe kryetarin Spasiq.

“Kjo është një pyetje që unë ia kam parashtru kryetarit të komunës Spasiq në kuvend mirëpo ai vazhdimisht ka gjetë arsyen që jemi në prona që jemi me qira dhe që nuk janë tonat dhe nuk janë shtetërore, megjithatë kjo nuk e ka pengu që me vnu simbole, po ashtu edhe një objekt që është ndërtu më vonë për Entin Social, faktikisht aty ka punu kryetari dhe stafi i tij dhe prapë si ka vendos,” tha Rexhepi.

Ai deklaroi se që tre vjet kërkon vendosjen e këtyre simboleve.

“Që nga zgjedhja si asamblist në vitin 2013 vazhdimisht kam kërkuar nëpër seanca  që të vehen simbolet e Republikës së Kosovës, flamuri dhe stema, por ai [kryetari Spasiq] gjithmonë ka gjetur një arsye, edhe pse nuk vjen në kuvend-ka qenë një herë apo dy herë, kur është zgjedh njëherë dhe më pastaj nuk ka ardhë dhe nuk vjen,” tha asamblisti i Nismës Rexhepi.

Megjithatë, sipas tij dokumentet e lëshuara nga komuna kanë simbolet shtetërore në to.

“Po dokumentet, ftesat dhe ato që vijnë si buxheti dhe këto gjëra janë me simbole faktikisht të Kosovës,” tha Xhelal Rexhepi.