Arbëresha Shala- Raqa, prokurore

Arsyetimi i Prokurores që e mbylli rastin për drogë të djalit të kolegut

Policia e Kosovës në nëntor të vitit 2014, kishte dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë e Prishtinës nën dyshimin se Valdrin Gecaj, djali i prokurorit të Prokurorisë Speciale Haki Gecaj, kishte kryer veprën penale të ”Posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope, ose analoge” nga neni 275 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Siç transmetoi emisioni “Drejtësia në Kosovë”, lënda ishte caktuar në kompetencë të Prokurorisë Themelore të Prishtinës, më saktësisht te prokurorja Arbëresha Shala- Raqa.

Babai i Valdrinit, Haki Gecaj, para vitit 2013 kishte punuar në këtë Prokurori, ku para rikonstruktimit kishte qenë edhe kryeprokuror komunal.

Hulumtimi dëshmoi se në dosjen e kësaj lënde që e kishte mbyllur prokurorja Shala-Raqa, shkruan se Valdrin Gecaj ishte kapur me 1.12 gram drogë dhe shokun e tij E.H. me 0.73 gram.

Siç shkruhet në dosjen e lëndës vet Valdrin Gecaj e kishte pranuar para Prokurorisë se kishte poseduar narkotikë natën kur ishte hasur nga Policia.

“…Kam qenë në shoqëri me shokët e mi, me E.H. dhe K.D., ka qenë vonë, pas mesnatës kur na ka kontrolluar policia…Unë jam i vetëdijshëm tash për veprimin që e kam kryer, por atëherë më është dukur interesant duke pa nga filmat, por tani ju betohem dhe ju premtoj se nga dita kur kam qenë në polici nuk e kam përdorë më”, kishte deklaruar para prokurores Arbëresha Shala – Raqa, djali i prokurorit special Haki Gecaj.

Siç tregoi hulumtimi, me një deklaratë të tillë kur fajësia është pranuar veprimet e prokurorisë janë të parashikuara.

Por, prokurorja Arbëresha Shala- Raqa e cila nuk e kishte as një dyshim se i pandehuri kishte kryer veprën penale kishte vendosur që ta mbyllë lëndën dhe mos ta qoj çështjen në gjykatë.

Arsyetimi i prokurores për mbylljen e rastit të djalit të prokurorit special është shumë interesant. Ja si shpjegohet në arsyetimin e prokurores arsyeja që lënda është mbyllur pa u dërguar në gjykatë.

“Në deklaratat e të pandehurve të dhëna në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, ku ata kanë pranuar se kanë poseduar sasinë e narkotikëve e cila ju është konfiskuar, ndërsa në mbrojtjen e tyre ata  kanë shprehur pendimin e thellë për veprimet e tyre, pra theksimeve që më asnjëherë nuk kanë poseduar apo përdorë narkotik, si dhe faktit- provës materiale se nuk ka të dhëna evidente policore, Prokurori i shtetit ju falë besimin atyre deklarimeve dhe në kuptim të dispozitës së nenit 231, ka zbatuar përjashtimin e respektimit të parimit të legalitetit. Pra edhe pse ekzistojnë kushtet ligjore për ndjekje të çështjes  penale në rastin konkret, Prokurori heq dorë nga ndjekja e filluar, sepse për të dy të pandehurit në tërësi plotësohen kushtet ligjore të dispozitës së nenit 231, paragrafi 1.2, Kodi i Procedurës Penale i Republikës së Kosovës, e cila dispozitë është favorizuese për të pandehurit dhe në veçanti plotësohen tërësishëm kushtet vijuese të këtij përjashtimi ligjor që janë pendimi dhe ndalimi i pasojave të tjera të dëmshme”, thuhet në vendimin për mbylljen e rastit të prokurores Shala- Raqa.

Por, siç dëshmoi hulumtimi, në raste të ngjashme kolegët e prokurores Shala, të pandehurit i kishin dërguar para gjykatës që çështjen ta vendoste gjykata.