ARKIV – Gani Geci, i akuzuar për vrasjen e Ruzhdi Shaqirit - Foto: KALLXO.com

Arsyet që Kthyen në Pikën Zero Rastin e Gani Gecit

Gani Geci më 3 qershor të vitit të kaluar ishte dënuar me 4 vjet e 6 muaj burg për vrasjen e Ruzhdi Shaqirit dhe për armëmbajtje pa leje.

Ky vendim përmes ankesave ishte kundërshtuar nga të gjitha palët e përfshira në procedurë ndërsa më shumë se një vit më pas Gjykata e Apelit e riktheu në fillim këtë rast.

KALLXO.com ka siguruar vendimin e Gjykatës së Apelit lidhur me këtë rast, ndërsa ekskluzivisht sjell gjetjet e kolegjit të Apelit.

Vendimi i gjyqtarëve të Apelit, Driton Muharremi, Mejreme Memaj dhe Hava Haliti, ka gjetur një varg shkeljesh në vendimin e Gjykatës Themelore të Mitrovicës që kishte shpallur fajtor Gani Gecin.

Gjykata e Apelit ndër shkeljet më serioze ka gjetur se vendimi i Gjykatës Themelore të Mitrovicës në rastin e Gecit ka disa paqartësi dhe kundërthënie që kanë të bëjnë me dispozitivin e aktakuzës sa i përket veprës penale për të cilën është dënuar i pandehuri.

Gani Geci fillimisht me aktakuzën e datës 15 dhjetor 2014, akuzohej për veprën penale të vrasjes së kryer në gjendje të tronditjes së fortë mendore.

Kjo aktakuzë ishte ndryshuar në prill të vitit 2016 ashtu që Gani Geci u akuzua për veprën penale të vrasjes së rëndë.

Gjykata në Mitrovicë, Gecin e gjeti fajtor për veprën penale të vrasjes.

http://kallxo.com/denohet-me-burg-gani-geci/

Gjykata e Apelit në vendimin e saj thekson se ndonëse Geci u dënua për veprën penale të vrasjes, në përshkrimin faktik të veprimeve inkriminuese të të akuzuarit theksohet se “Gani Geci ishte në gjendje të tronditjes së fortë mendore”, kur nxori revolen gjysmë-automatike dhe shtiu katër herë në drejtim të Ruzhdi Shaqirit.

“Nga një konstatim i tillë nuk është e qartë se për cilën vepër penale është shpall fajtor i akuzuari, për veprën penale të vrasjes nga neni 178 apo të vrasjes në gjendje të tronditjes së fortë mendore nga neni 180”, thuhet në vendimin e Gjykatës së Apelit.

Kolegji i Apelit thekson se vepra penale e vrasjes assesi nuk mund të kryhet në gjendje të tronditjes së fortë mendore, që është një formë e privilegjuar e vrasjes.

Përpos kundërthënieve në dispozitivin e aktgjykimit, Gjykata e Apelit ka gjetur kundërthënie edhe në arsyetimin e aktgjykimit dënues ndaj Gani Gecit.

“Në faqen 24, pasusi 22 i aktgjykimit, gjykata konstaton se ‘e gjen të vërtetuar se Gani Geci nuk ndodhej në një situatë të mbrojtjes së nevojshme kur shtiu në Ruzhdi Shaqirin. Pastaj në pasusin 24 Gjykata konstaton se ‘e gjeti  të vërtetuar se Gani Geci nuk besonte se ai ishte nën një sulm vdekjeprurës. Mirëpo, pastaj, në pasusit 26, 27 e 28 të faqes 26 dhe 27 të arsyetimit të aktgjykimit, Gjykata konstaton se “Gani Geci ishte në gjendje të rëndë shqetësimi mendor kur ka vrarë Ruzhdi Shaqirin dhe kjo është e bazuar në raportin psikiatrik dhe deklaratave në shqyrtim gjyqësor nga psikiatri A.B. dhe psikologja A.V. dhe neuropsikiatri G.H”, thuhet në vendimin e Apelit.

Kundërthënie, Gjykata e Apelit përmend edhe lidhur me vendimin mbi dënimin.

“Gjykata thekson se në ‘pajtim me nenin 75 të KPRK gjykata ka marrë parasysh si rrethanë lehtësuese historinë se i pandehuri ka qenë në gjendje të ankthit të rëndë mendor kur ka shtënë’. Vepra penale e nenit 180 duhet të dënohet me burgim prej 1 deri në 10 vjet. Edhe pse neni 180 nuk mund të zbatohet siç është vërtetuar më lartë- posaçërisht për shkak se gjendja e tij mendore nuk është shkaktuar nga një fyerje e rëndë pa fajin e tij- janë disa ngjashmëri”, thuhet në vendimin e Apelit.

Gjykata e Apelit krejt në fund konstaton se këto kundërthënie dhe paqartësi janë aq të theksuara në aktgjykim sa e bëjnë atë të paqartë, konfuz dhe juridikisht të paqëndrueshëm dhe të cilat paraqesin shkelje esenciale të dispozitave penale.

http://kallxo.com/apeli-vendosi-per-gani-gecin-ne-rastin-e-vrasjes-se-ruzhdi-shaqirit/

Aktgjykimi i Apelit qartazi urdhëron Gjykatën Themelore se gjatë rigjykimit duhet të veprojë në pajtim me vërejtjet e dhëna dhe t’i eliminojë të gjitha shkeljet e evidentuara.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi për procesin gjyqësor ndaj Gani Gecit, i akuzuar për vrasjen e Ruzhdi Shaqirit në Skenderaj më 4 gusht 2014. Raportet mund t’i gjeni këtu.