Ish-prokurorja Vahide Badivuku - Foto: KALLXO.com

Arsyeja Pse u Kthye në Rigjykim Rasti ish-Prokurores Badivuku

KALLXO.com ka siguruar vendimin e Gjykatës Supreme që anuloi vendimin e Gjykatës së Apelit që kishte vërtetuar dënimin ndaj ish-prokurores nga Mitrovica, Vahide Badivuku.

“Me aprovimin e kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë të mbrojtësit të t[ dënuarit Idriz Kelmendi, e sipas detyrës zyrtare sa i përket të dënuarve Vahide Badivuku dhe Isak Smakolli, anulohet aktgjykimi i Gjykatës së Apelit dhe çështja i kthehet gjykatës së njëjtë në rigjykim”, thuhet në vendimin e Gjykatës Supreme të Kosovës.

Më tej në vendimin e siguruar nga KALLXO.com sqarohet arsyeja e aprovimit të kërkesës nga avokati Berisha.

“Mbrojtësi i Idriz Kelmendit, Besnik Berisha pretendon se aktgjykimi i Gjykatës së Apelit ishte i përfshirë në shkelje esenciale sepse dy anëtarët e kolegjit të Apelit, Vahid Halili dhe Avdullah Ahmeti, nuk kanë mundur të jenë pjesë e kolegjit për shqyrtimin e ankesave kundër aktgjykimit të shkallës së parë sepse të njëjtit kishin marrë pjesë në kolegjin për shqyrtimin e ankesës kundër aktvendimit për kundërshtimin e provave dhe kërkesës për hudhje të aktakuzës”, thuhet në vendimin e Gjykatës Supreme.

Vendimi i Gjykatës Supreme që anuloi vendimin e Gjykatës së Apelit në rastin ndaj ish-prokurores Vahide Badivuku – Foto: KALLXO.com.

Më tej në vendim thuhet se Gjykata Supreme e gjen të bazuar kërkesën e avokatit Berisha.

“Gjykata Supreme e Kosovës duke vlerësuar pretendimin e mbrojtësit të të dënuarit Idriz Kelmendi, Besnik Berisha e duke mos u lëshuar në shqyrtimin e pretendimeve të tjera të cekura në kërkesa gjen se gjyqtarët Avdullah Ahmeti dhe Vahid Halili nuk kanë mundur të jenë pjesë e kolegjit për shqyrtimin e ankesave kundër aktgjykimit të shkallës së parë”, thuhet në vendimin e Gjykatës Supreme.

Vendimi i Gjykatës Supreme më tej sqaron se nuk është lëshuar në shqyrtimin e kërkesave tjera sepse kanë zbatuar parimin  “beneficium cohaesionis” edhe ndaj të dënuarës Vahide Badivuku dhe Isak Smakolli.

Kërkesa për mbrojtjen e ligjshmërisë kishin paraqitur edhe avokati i  të dënuarës Vahide Badivuku dhe vetë  Badivuku.

KALLXO.com raportoi sot se Gjykata Supreme e ka kthyer në rigjykim rastin e prokurores Vahide Badivuku.

http://kallxo.com/kthehet-ne-rigjykim-rasti-ish-prokurores-badivuku/

Prokurorja Badivuku ishte dënuar me 3 vjet burgpër marrje të ryshfetit në prill të vitit të kaluar, ndërsa më pas i ishte vërtetuar dënimi nga Gjykata e Apelit.

Ndaj këtij vendimi, mbrojtja e Badivukut ishte drejtuar me kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë në Gjykatën Supreme.

KALLXO.com në vazhdimësi ka raportuar lidhur me ecurinë e gjykimit të ish-prokurores  Badivuku.