Ermal Skenderi, nxënësi nga Gjakova që po ankohet se u rrah nga arsimtarja e matematikës.

Arsimtarja e Dyshuar për Rrahje të Nxënësit Del Sot Para Komisionit Disiplinor

Arsimtarja e dyshuar për dhunë ndaj nxënësit do të dalë sot para një komisioni disiplinor në Gjakovë.

Dalja e saj para komisionit është rekomandim e inspektorëve të arsimit në Gjakovë të cilët kanë ardhur në këtë përfundim pasi kanë shqyrtuar rastin e Ermal Skenderit.

KALLXO.com ka raportuar tri ditë më parë se Ermal Skenderi po ankohet se është rrahur nga arsimtarja e matematikës, Leonora Doli.

Gjithashtu ai është ankuar për notim në shpërputhje me diturinë e tij në këtë lëndë.

KALLXO.com ka raportuar për këtë rast gjatë kësaj jave, pasi Përparim Skenderi babai i Ermalit, ka raportuar për rastin e djalit të tij.

http://kallxo.com/nxenesi-nderpret-mesimin-ankohet-se-e-rrahu-arsimtarja/

Edhe Inspektorët kanë ardhur në përfundim se Ermal Skenderi është keqtrajtuar fizikisht, nuk është vlerësuar si duhet nga arsimtarja dhe është keqtrajtuar në aspektin psikik.

Ata kanë ardhur në përfundim se deklarata e drejtorit të shkollës nuk ka qenë e qartë .

“Drejtori pranon se mësimdhënësja e matematikës Leonora Doli nxënësin e klasës së gjashtë Ermal Skenderi nuk e ka vlerësuar sipas aftësive që ka por e ka vlerësuar me notën dy dhe pas rivlerësimit dhe verifikimit  të njohurive të nxënësit në fjalë me iniciativën e prindit dhe me kërkesën  e drejtorit në prezencë të prindit nxënësi është vlerësuar me notën pesë”, thuhet në rekomandimin e inspektorëve.

Ndërsa për deklaratën e mësimdhënëses inspektorati ka një tjetër vlerësim.

“Bazuar në deklaratën e mësimdhënëses znj Leonora Doli na jep të kuptojmë se ajo në deklaratën e vetë i ik realitetit”, thuhet në rekomandim.

E kontaktuar nga KALLXO.com, arsimtarja Doli hodhi dyshime rreth vërtetësisë së pretendimeve të palës që u ankua.

“Rasti është në shqyrtim, krejt çka i ka thënë ai nuk janë të vërteta” tha Doli.

Inspektoriati ka rekomanduar që Doli të dalë para komisonit disiplinor, ndërsa për nxënësin rekomandon që t’i ofrohet mësim cilësor dhe të trajtohet konform pedagogjike dhe Konventës Ndërkombëtare për të Drejtat e Fëmijëve.

Ermali ka deklaruar se nuk do të kthehet në shkollë pa u zgjidhur situata me arsimtaren e tij për të cilën thotë se e ka keqtrajtuar disa herë.

Ndërsa Inspektorati thotë se prindi e ka proceduar ankesën me vonesë.