Ministri Arsim Bajrami dhe kryetari i SBAShK, Rrahman Jasharaj, duke nënshkruar kontratën kolektive në prill 2017. Foto: MASHT

Arsimtarët Kërcënojnë me Grevë në Shtator

Nëse kryetarët e komunave dhe institucionet tjera të qeverive lokale nuk reflektojnë dhe nuk bëjnë hapa konkret në realizimin e çështjeve të tri pagave suplementare, tri pagave me rastin e pensionimit, të çështjes së shujtës dhe udhëtimit të punësuarit udhëtarë në arsim, atëherë SBASHK-u në shtator do të reagojë me greva dhe do të dërgojë padi në gjykatat gjegjëse për të realizuar kështu këto kërkesa legjitime e që dalin nga Kontrata Kolektive e Arsimit të Kosovës, nënshkruar nga MASHT dhe SBASHK më 18 prill 2017, thuhet në një komunikatë për medie nga SBASHK.

“SBASHK-u ka pritur reflektimin e qeverive lokale lidhur me çështjet e ngritura dhe nisjen e dialogut për to. Mirëpo kaloi një kohë e gjatë nga 21 qershori dhe jemi në prag të vitit të ri shkollor e qeveritë lokale nuk shihet se kanë bërë ndonjë hap konkret për të vënë në rend dite çështjet e ngritura në shkresën zyrtare drejtuar kryetarëve të komunave dhe prandaj SBASHK-u që tani ka nisur përgatitjet për veprime sindikale gjatë muajit shtator e madje edhe për grevë të përgjithshme”, thuhet në komunikatë.

Sipas SBASHK-ut këto veprime sindikale do të jenë të drejtuara ndaj kryetarëve të komunave dhe institucioneve të pushtetit lokal për shkak të mungesës së vullnetit për të dialoguar e për të gjetur zgjidhje të pranueshme lidhur me obligimet që pushtetet lokale e kanë nga neni 35 i Kontratës Kolektive të Arsimit të Kosovës e që ka të bëjë me kompensimin prej 70 % të vlerës së biletës për punëtorët udhëtarë të arsimit, 3 pagat suplementare dhe 3 pagat përcjellëse me rastin e pensionimit dhe me çështjen e shujtës 2 euro për çdo ditë pune.

Kontrata e Pazbatuar Kolektive

“I kujtojmë kryetarët e komunave, drejtorët e DKA-ve dhe institucionet tjera komunale se SBASHK-u ka dërguar në gjykatat kompetente paditë kundër komunave lidhur me tri pagat suplementare dhe 3 pagat me rastin e pensionimit dhe se organet e drejtësisë janë duke sjellë vendime pozitive”, thuhet më tutje në komunikatë.

SBASHK thotë se nëse institucionet komunale nuk reflektojnë gjatë këtyre ditëve dhe nuk nisin dialogun, atëherë SBASHK-u do të mbledh shënimet për punëtorët arsimor udhëtarë dhe do t’i drejtohet gjykatave për këtë çështje dhe për shujtën e bindur se do të dalë fituese. “Pra kryetarë të komunave në shtator, nëse nuk reflektoni dhe nuk e zgjidhni dialogun, do të përballeni me veprime sindikale dhe me gjykatat”, ka thënë SBASHK përmes një komunikate për medie./21Media

http://kallxo.com/jasharaj-tregon-cka-permban-kontrata-e-re-kolektive-per-arsimtaret/