Arsim Bajramit Rrit të Hyrat

Angazhimi në detyrat e profesorit ka bërë që ministri në detyrë Arsim Bajrami t’i rrisë të hyrat vjetore për  9 mijë e 240 euro në vitin 2017.

Në total, në vitin 2017, i pari i MASHT-it, Arsim Bajrami ka deklaruar se ka të hyra vjetore prej 25 mijë  676 eurove, shtuar këtu edhe të hyrat e bashkëshortes prej 1 mijë e 208 eurove.

Në vitin paraprak Bajrami pati deklaruar se merr pagë vetëm nga Qeveria e Kosovës dhe nga Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës në vlerën 15 mijë e 316 euro.

Në pjesën tjetër të deklarimit, ministri Bajrami ka të njëjtën pasuri të paluajtshme që ka deklaruar në vitin 2016 dhe po ashtu edhe në vitin 2017.

Shtëpia e tij prej 400 metrash katrorë në vlerën prej 250 mijë eurove dhe  banesa prej 60 metrash katrorë në emër të bashkëshortes së tij në vlerën prej 30 mijë eurosh është deklaruar për dy vjet radhazi.