Konferenca | Foto: KALLXO.com

Arritjet dhe Sfidat në Dhjetë Vjet Shtet

Akademia Diplomatike e Ministrisë së Punëve të Jashtme organizoi sot konferencën në lidhje me arritjet dhe aspiratat në dhjetë vjet shtet.

Beqir Ismajli, drejtor i kësaj akademie tha se kjo akademi ndërton ura bashkëpunimi.

“Kjo akademi organizon forume e konferenca me qëllim të themelimit të bashkëpunimit me institucione. Kjo akademi ndërton ura të bashkëpunimit me vende të ndryshme”, tha Ismaili.

Ai konstatoi se sfida aktuale e akademisë është “ndërtimi i shkollës diplomatike për specializimin e anëtarëve të rinj”.

Nabil Ayad, asistent i presidentit në Këshillin për Tolerancë dhe Paqe foli për vështirësitë e Kosovës për pranim ndërkombëtar.

“Megjithëse kënaqemi për arritjet e vendit vendi vazhdon të ketë vështirësi. Kosova përballet me sfida në pranimin ndërkombëtar”, tha Ayad.

Edhe Rejhane Vuniqi, zëvendësministre e Punëve të Jashtme tha se rruga e Kosovës drejt pavarësisë ishte e ndërlikuar.

“Rruga drejt pavarësisë ka qenë e ndërlikuar. Pavarësia ka ardhur vetëm pas shpërbërjes së Jugosllavisë”, tha Vuniqi.

Ajo konstatoi se ka pengesa edhe për njohje.

“Vendi ynë po përballet me shume barriera për njohje sidomos nga fuqitë e mëdha siç janë Kina  e Rusia”, tha Vuniqi.

Ndërsa Abduselam Shkodra, zëvendësministër i Punëve të Brendshme tha se Kosova nuk duhet ta sfidojë partneritetin me ndërkombëtarët.

“Kosova muajt e fundit është sfidu me ruajtjen e partneritetit me aleatët shkaku i shfuqizimit të Gjykatës Speciale.Kosova duhet të ruajë partneritetin me aleatët”, tha Shkodra.

Ndërsa Burim Ramadani zëvendësministër i Forcës dhe Sigurisë foli për të ardhmen e FSK-së.

“Ne synojnë të arrijmë fazën e dialogut për anëtarësim në NATO të përfshihemi në programin për Partneritet për Paqe”, tha Ramadani.

Sot Prishtina nisi të stoliset për dhjetëvjetorin e pavarësisë.