Foto: KALLXO.com

Arrihet Marrëveshja për Demarkacion

Kreu i Kuvendit, Kadri Veseli ka mbledhur sonte në zyrën e tij përfaqësuesit e partive politike, pa Vetëvendosjen dhe Listën Serbe.

Aty janë pajtuar që LDK ta votojë Marrëveshjen për Demarkacionin, ndërsa Kryeministri ka siguruar që i ka tri votat e nevojshme të Listës Serbe.

“Është kry, ka marrëveshje, pritet nesër më u ratifiku. Ka ujdi për tekstin e përbashkët, për pajtueshmëri të forcave politike shqiptare [minus VV]”, i ka thënë KALLXO.com një anëtar i kryesisë së LDK-së.

“Lidhja Demokratike e Kosovës, në takimet me partitë e koalicionit qeverisës, ka ofruar zgjidhjen më të arsyeshme, e cila i hap rrugë ratifikimit të Marrëveshjes për Shënimin e Kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi”, thuhet në komunikatën e LDK-së.

“LDK-ja u bën thirrje partive të koalicionit qeverisës që të dakordohen me zgjidhjen e propozuar nga LDK-ja dhe t’i sigurojnë votat e shumicës qeverisëse”.

Burimet e KALLXO.com tregojnë që kryeministri Ramush Haradinaj ka siguruar në takim LDK-në që përveç votave të partive shqiptare në koalicion, i ka edhe tri vota të Listës Serbe.

Sot gjatë ditës, deputeti Slobodan Petroviq ka thënë se ai do ta votojë këtë Marrëveshje, ndërsa grupi parlamentar i Listës Serbe përmes një komunikate thanë qe nuk do ta votojnë.

Në takimin në zyrën e kryeparlamentarit ishin prezentë përfaqësues të të gjitha partive politike, përveç VV-së e Listës Serbe.

Seanca për Demarkacionin do të vazhdojë nesër në orën 10:00.