Ilustrim. Foto: KALLXO.com

I Arrestuari për Terrorizëm, Vëllai i të Dyshuarit për Sulm Vetëvrasës në Siri

Policia e Kosovës njoftoi dje se ka arrestuar dy persona të dyshuar se po bënin propagandë në mbështetje të grupeve terroriste.

Në njoftimin e Policisë bëhej e ditur se gjatë këtij operacioni në cilësinë e të dyshuarve janë shoqëruar në stacionin e Policisë dy persona ndaj të cilëve, me urdhër të Prokurorit, është shqiptuar masa e ndalimit policor prej 48 orëve.

KALLXO.com merr vesh se njëri nga të dyshuarit është vëllai i B.P i cili dyshohet se kreu sulm vetëvrasës në Siri.

Në qershor të këtij viti u raportua se B.P nga Kosova dyshohet të jetë njëri nga sulmuesit vetëvrasës në një sulm në qytetin Tedmur të Sirisë, sulm në të cilin u raportua se humbën jetën edhe disa ushtarë sirianë.

Policia e Kosovës dje njoftoi se Drejtoria Kundër Terrorizmit në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale të Kosovës, kanë ndërmarrë një operacion në Mitrovicë dhe në Lipjan për zbatimin e urdhërkontrolleve të lëshuara nga Gjykata Themelore në Prishtinë dhe ajo në Mitrovicë.

“Personat e arrestuar nga zyrtarët policorë, dyshohet se kanë shpërndarë propagandë në mbështetje të grupeve terroriste, veprime këto të sanksionuara sipas ligjit 05/L-02 për ndalimin e bashkimit në konflikte të armatosura jashtë territorit të vendit”, thuhej në komunikatën e Policisë.

Sipas Policisë, gjatë këtij operacioni në cilësinë e provave materiale janë sekuestruar disa pajisje elektronike dhe gjësende tjera, të cilat “janë përdorur për kryerjen e veprës penale dhe të cilat do të analizohen në vijim”.