Arrestohet Shtetasja e Shqipërisë, e Dyshuar për Vjedhje të Rëndë

Policia në Prizren njofton se pas një pune dymujore ka arrestuar shtetasen e Shqipërisë me inicialet H.D., mbi bazën e dyshimit se e njëjta më 7 gusht në pastiçeri të një qendre tregtare e kishte joshur një të ri për akullore në të cilën me gjasë i kishte hedhur qetësues dhe më pas e kishte shoqëruar në një dhomë hoteli.

Pas pak viktima kishte humbur vetëdijen, ndërkaq e dyshuara ia kishte vjedhur një sasi të konsiderueshme të parave dhe telefonin mobil dhe kishte ikur në drejtim të panjohur.

Gjatë intervistës, në prani të avokatit mbrojtës, është bërë e ditur se e njëjta kishte kryer edhe një rast të ngjashëm në Prizren.

Pas intervistës është informuar prokurori i shtetit, i cili ka urdhëruar që e dyshuara të ndalet nën masën e arrestit.

Hetuesit besojnë se e dyshuara e këtij rasti mund të ketë kryer edhe raste të tjera por që nuk janë raportuar në Polici.