Drogë e konfiskuar më parë nga autoritetet kosovare - Foto: Dogana e Kosovës

Arrestohet Serbi, i Gjenden mbi 13 Kilogramë Drogë

Policia e Kosovës ka arrestuar dje një shtetas të Serbisë në veturën e të cilit dje gjatë një kontrolli ka gjetur dhe konfiskuar mbi 13 kilogramë drogë të tipit marihuanë.

Operacioni është realizuar në rrugën magjistrale Prishtinë-Graçanicë, konkretisht në fshatin Hajvali.

I.A., serb, shtetas i Serbisë, është arrestuar si i dyshuar për veprën penale ‘blerje, posedim, shitje ose shpërndarja e  paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge’.

Gjatë kontrollit, zyrtarët policorë në veturën e të dyshuarit kanë gjetur dhe kanë konfiskuar 25 paketime të mbushura me narkotikë të llojit marihuanë, pesha e të cilës ka rezultuar të jetë 13 kilogramë e 457.6 gramë, 10180 dinarë dhe 95 euro para të gatshme, dy telefona celularë.

Me vendim të prokurorit kompetent i dyshuari është arrestuar dhe është dërguar në qendrën e mbajtjes.