Salih Zyba kur u arrestua. Foto: Komuna e Prishtinës

Arrestohet Salih Zyba në Kabinetin e Shpend Ahmetit

Policia e Kosovës ka arrestuar sot në mëngjes Salih Zybën, shef i sektorit të Inspektoratit në komunën e Prishtinës.

Menjëherë pas arrestimit, komuna e Prishtinës ka reaguar duke thënë se policia ka hyrë pa autorizim në kabinetin e kryetarit të komunës, Shpend Ahmeti dhe, sipas njoftimit të komunës, e ka arrestuar Zybën pa fletarrest.

“Policia e Kosovës, sot pa asnjë autorizim u fut në kabinetin e Kryetarit të Komunës së Prishtinës dhe pa fletarrest me vete e arrestoi Salih Zybën, shef të sektorit të Inspeksionit të Komunës së Prishtinës, i cili në ato momente gjendej në detyrë, në kabinet të Kryetarit. Për më tepër Policia arrestoi edhe dy pjesëtarë të sigurimit të Komunës, Ditar Canolli dhe Kushtrim Halilaj, veç se e kryen detyrën e tyre duke i kërkuar autorizim policëve për të hyrë në objekt të Komunës”, thuhet në komunikatën e komunës.

Salih Zyba është në listën e një numri të madh të aktivistëve të Vetëvendosjes të akuzuar për dëmtimin e veturave të EULEX-it në vitin 2009 në Prishtinë.

http://kallxo.com/13-aktiviste-te-vv-se-ne-gjykim/

Në disa seanca të mbajtura deri më tani, ai nuk kishte marrë pjesë.

“Komuna e Prishtinës është e indinjuar me kësi sjellje arbitrare të Policisë së Kosovës, të cilët në vend se të jenë shembull për respektim të ligjit dhe procedurave të punës, ata i dhunojnë këto procedura dhe e shkelin ligjin”, thuhet në njoftimin e komunës.

Policia e Kosovës konfirmoi arrestimin e Zybës.

“Kemi pasur një urdhër të gjykatës për arrestimin e Salih Zybës ndërsa dy personat tjerë janë arrestuar për shkak se kanë penguar zyrtarët e policisë në kryerjen e detyrës zyrtare”, tha Florije Ahmeti, zëdhënëse e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës.

Foto: Komuna e Prishtinës
Foto: Komuna e Prishtinës
salih zyba3
Foto: Komuna e Prishtinës