Arrestohet Pasi Ilegalisht Futet në Kampin 'Bondstill'

Një person është arrestuar dhe është dërguar në mbajtje pasi dyshohet se ka hyrë ilegalisht në kampin ushtarak amerikan në afërsi të Ferizajt, Bondstill, duke krijuar kështu rrezikim të personave nën mbrojtje ndërkombëtare.

Ngjarja ka ndodhur mbrëmë rreth orës 20:00 në kampin Bondstill në fshatin Sojevë.

Me anë të raportit ditor policia ka raportuar se njësiti i sigurimit të KFOR-it në Bondstill ka raportuar se një person ka kaluar rrethojën dhe në mënyrë ilegale është futur në kamp.

Policia ka arritur që ta arrestojë të dyshuarin i cili, sipas raportit policor, dyshohet se është me çrregullime psikike.

Policia në raport ka shkruar edhe se kjo nuk ishte hera e parë që i dyshuari bën veprën e njëjtë.

Me urdhër të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.