Ramush Haradinaj, kryeministër i Kosovës.

Arrestohet në Francë Ramush Haradinaj

Lajmin për arrestimin e Ramush Haradinajt e ka konfirmuar përmes një njoftimi edhe AAK.

Sipas kësaj partie, Haradinaj sot është ndaluar në aeroportin ndërkombëtar francezo-zviceran Basel Mulhouse Fribourg, që gjendet në territorin e Francës, sipas një urdhërarresti të lëshuar nga Serbia në vitin 2004.

“Një veprim i tillë është krejtësisht i padrejtë dhe i papranueshëm. U bëjmë thirrje autoriteteve franceze që t’i mundësojnë zotit Haradinaj që të vazhdojë udhëtimin e tij i papenguar dhe kërkojmë nga autoritet e Bashkimit Evropian dhe të shteteve evropiane veç e veç që të mos pengojnë lëvizjen e lirë të autoriteteve të Kosovës sipas urdhërarresteve të paligjshme të Serbisë”, thuhet në njoftimin e AAK-së.

Partia e drejtuar nga Ramush Haradinaj kërkon nga Qeveria e Kosovës që të ndërpres çdo komunikim me Serbinë deri sa ajo të mos i tërheqë fletarrestet ndërkombëtare kundër personaliteteve të Kosovës.

21:25

Autoritetet franceze kanë arrestuar sot liderin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinajn.

Zyrtari i AAK-së, Avni Arifi, përmes një postimi në “Facebook”, ka treguar se Haradinaj është arrestuar sipas një fletarresti ndërkombëtar të lëshuar nga Serbia.

”Ndalja e z. Haradinaj në Francë në bazë të akuzës së Serbisë nga viti 2004 është produkt final i bisedimeve të Qeverisë se Kosovës me Serbinë. Nga këto bisedime vetëm kësi produktesh dalin. Kjo është epoka e Isës me Hashimin”, ka shkruar Arifi.

Arrestimin e liderit të AAK-së e ka konfirmuar për televizionin publik të Kosovës edhe familja Haradinaj.

Kjo nuk është hera e parë që ish-komandanti UÇK-së për Zonën e Dukagjinit arrestohet në bazë të një fletarresti të lëshuar nga autoritetet serbe.

Në qershor të vitit 2015, Haradinaj ishte arrestuar në aeroportin e kryeqytetit slloven, Lublanë, në bazë të një mandat-arresti të lëshuar nga Serbia më 2006.

Në bazë të akuzave të Serbisë për krime lufte kundër civilëve serbë dhe aleatëve të tyre, Ramush Haradinaj qe gjykuar në Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë.

Haradinaj, i cili më 2005 kishte lënë postin e kryeministrit të Kosovës për t’u dorëzuar në Hagë, më 2012 ishte shpallur për herë të dytë i pafajshëm nga gjykata ndërkombëtare.