Prokuroria Speciale në Podgoricë - Foto: tuzilastvo.me

Arrestohet Malazezi, Dyshohet për Krime Lufte në Kosovë

Personi i arrestuar të enjten u identifikua nga media vendase si 47-vjeçari Vlado Zmajeviç, i cili ishte pjesë e forcave të Ushtrisë Jugosllave që luftuan në Kosovë në vitet 1998 dhe 1999.

Prokuroria Speciale tha se Zmajeviç, një shtetas malazez, u arrestua në qytetin Nikshiq nën dyshimin se ka kryer “krime kundër popullsisë civile”.

“I dyshuari do të merret në pyetje nga prokurori special, pas së cilës do të duhet të merret një vendim për procedurat e mëtejshme në këtë rast”, tha prokuroria.

Sipas Qendrës për të Drejtën Humanitare në Kosovë, Zmajeviç është një i dyshuar kryesor në një krim të kryer nga paraushtarakët serbë në fshatin e Zhegër në Kosovë në mars të vitit 1999.

Zmajeviç ishte një nga grupi i shtatë luftëtarëve të dyshuar për përfshirje në vrasjen e shqiptarëve të Kosovës në Zhegër, tha drejtori i Qendrës për të Drejtën Humanitare, Bekim Blakaj.

“Bazuar në dëshminë e dëshmitarëve okularë, më 29 mars 1999, tetë autobusë me vullnetarë të ushtrisë erdhën në fshat dhe vranë gjashtë vetë”, tha të enjten Blakaj për “Radio Free Europe”

“Sigurisht që ata ishin të gjithë civilë, me përkatësi etnike shqiptare, përfshirë edhe burra të moshuar dhe gra. Ajo që ne e dimë deri më tani është se ishin dy gra dhe katër burra”, tha ai.

Emri i Zmajeviç u përmend në të dhënat e Gjykatës së Hagës në lidhje me gjyqet e gjeneralit të policisë serbe Sreten Lukiç dhe gjeneralit të Ushtrisë Jugosllave, Nebojsha Pavkoviç.

Dëshmitarët e mbrojtjes në të dyja rastet pohuan se Zmajeviç ishte përgjegjës për vrasjet në fshatin Zhegër.

Sipas të dhënave të Gjykatës së Hagës, Zmajeviç ishte anëtar i Brigadës 175 të Motorizuar të Ushtrisë Jugosllave.

Pas përfundimit të luftës në Kosovë në vitin 1999, ai u arrestua, u ndoq penalisht dhe u dënua me 20 vjet burg për krimet në Zhegër.

Megjithatë, ai nuk e kreu dënimin. Arsyet për këtë nuk dihen.