Foto: Ilustrim

Arrestohet Kosovari i Shpallur në Kërkim Ndërkombëtar

Policia Kufitare e Shqipërisë ka njoftuar se ka arrestuar një shtetas kosovar, i shpallur në kërkim ndërkombëtar, me qëllim ekstradimi.

Specialistët e Policisë Kufitare Morinë bënë arrestimin provizor me qëllim ekstradimi të shtetasit kosovar të shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Fjala është për A.Th., 33 vjeç, banues në Xërxë të Rahovecit.

“Ky shtetas u kap në hyrje të SPK Morinë, ku gjatë regjistrimit në sistem rezultoi person në kërkim ndërkombëtar, nga autoritet zvicerane”, thuhet në njoftimin e Policisë Shqiptare.

“Gjykata De La Broye Et Du Nord Vaudois, Yverdon-Les-Bains/Zvicer, me vendim Nr. 35/2013, datë 14.02.2013, e ka dënuar me 18 muaj burgim për kryerjen e veprave penale “Shkatërrimi i pronës”, “Përndjekja”, “Shkelje e Ligjit federal për të Huaj”, parashikuar nga nenet 122, 144 etj të Kodit Penal Zvicerian”, thuhet po ashtu në këtë njoftim.

Gjithashtu, Gjykata De La Broye Et Du Nord Vaudois, Yverdon-Les-Bains/Zvicer, me vendim Nr. 420/2016, datë 27.12.2016, e ka dënuar me 6 muaj burg, për veprën penale, “Marrëdhënie seksuale me dhunë e mbetur në tentative”, parashikuar nga nenet 22 e 190 të Kodit Penal Zvicerian.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kukës për veprime të mëtejshme.