Foto: Ilustrim

Arrestohet i Dyshuari që Synonte Shitjen e Drogës Afër Shkollës

Policia ka arrestuar një person nën dyshimin se për qëllim ka pasur shitjen e substancave narkotike në një shkollë. Në këtë rast dy persona të tjerë janë në arrati.

Sipas raportit ditor të policisë, me anë të një operacioni policor kundër përdorimit të substancave narkotike policia ka arritur që të arrestoj një person.

Njësiti i Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotik, gjatë ditës së djeshme në fshatin Matiqan, ka hasur në një veturë të dyshuar të parkuar afër një shkolle.

I dyshuari ka arritur të vërejë policinë dhe ka ikur së bashku me motrën e tij duke lënë veturën në po atë lokacion.

“Me urdhër të prokurorit është kontrolluar shtëpia e të dyshuarit ku janë gjetur dhe konfiskuar 2 kilogram 896.2 gram substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë. Po ashtu me urdhër të prokurorit është konfiskuar edhe vetura e të dyshuarit ku janë gjetur dhe konfiskuar një armë e kalibrit7.65 milimetra, 6 fishekë të kalibrit 7.65 .3 telefona, një Iped dhe 11 gram substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë”, thuhet në raport.

Lidhur me rastin është arrestuar një i dyshuar ndërsa i dyshuari i parë së bashku me motrën e tij gjenden ne arrati.