Foto: Ilustrim

Arrestohet Grabitësi Pas Tre Muajsh Arrati

Policia e Rajonit të Prizrenit njoftoi se personi me inicialet D. B. është arrestuar si i dyshuar për një grabitje të datës 6 tetor të vitit të kaluar.

Sipas policisë arrestimi i personit të dyshuar është bërë pas një punë operative- taktike mbrëmë rreth orës 20:20.

Sipas policisë, D. B është i dyshuar për grabitje në bashkëveprim me disa persona të tjerë në Rrugën “Hoxhë Tasini” në Prizren.

“I dyshuari kishte arritur të arratiset deri më tash, ndërsa të tjerët tanimë janë në paraburgim. Pas arrestimit, i dyshuari është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës dhe i njëjti i ka sqaruar rrethanat e rastit dhe rolin që kishte pasur në grupin e strukturuar,” thuhet në njoftimin e policisë.

Me urdhër të prokurorit të dyshuarit i është caktuar masa e arrestit policor.

Më 6 tetor 2016, policia në Prizren kishte njoftuar se në orët e para të asaj dite, katër-pesë persona kishin hyrë me dhunë e duke thyer derën në një shtëpi në Rrugën “Hoxhë Tahsini”, duke terrorizuar dy banorë në moshë të shtyrë të asaj shtëpie.

Më pas nën kërcënimin e armëve dhe dhunës ata sipas policisë kishin grabitur  një sasi të parave dhe arit.

KALLXO.com ka shkruar vazhdimisht për raste të grabitjeve. Këto shkrime mund t’i lexoni këtu.