Ramiz Lladrovci, PDK, Drenas. Foto: Atdhe Mulla

Arrestohet i Dyshuari që Kanosi Ramiz Lladrovcin

Policia e Kosovës sot ka identifikuar dhe arrestuar një person, i cili dyshohet të jetë autori i kanosjes dhe dëmtimit të veturës të kryetarit të Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovcit.

Zëdhënësja e Policisë, Florie Ahmeti, tha për KALLXO.com se mbrëmë rreth orës 22:30 është hapur një rast për kanosje dhe dëmtim prone.

Rasti, sipas zëdhënëses së Policisë ka ndodhur në Tërstenik të Drenasit.

“Policia lidhur me këtë rast sot ka identifikuar dhe ka arrestuar një person të dyshuar. Rasti është duke u hetuar”, tha Florie Ahmeti për KALLXO.com.

Kryetari aktual i Drenasit, Ramiz Lladrovci, është duke bërë fushatë për t’u rizgjedhur në krye të Komunës në zgjedhjet që do të mbahen më 22 tetor.

Lladrovci është kandidat nga radhët e PDK-së.