Vendi ku ndodhi vrasja e sotme në Pejë - Foto: KALLXO.com

Arrestohet i Dyshuari për Vrasjen në Pejë

Policia ka arrestuar sot personin e dyshuar F. Ll. (i lindur më 1971) për shkak të dyshimit të bazuar se ka vrarë shtetasin I.G. (i lindur më 1936) dhe plagosur shtetasin F.G. (i lindur më 1985).

Policia e Rajonit të Pejës thotë se sot rreth orës 15:10 ka pranuar informacion se në rr. ”Muharrem Kelmendi” në Pejë, kishte një incident me persona të plagosur.

“Njësitet policore kanë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme në vendin e ngjarjes, po ashtu edhe në lokacione tjera të nevojshme”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Sipas të dhënave hetimore, mësohet se i dyshuari pasi që e ka kanosur viktimën I.G., të njëjtin e ka qëlluar me sëpatë në kokë, me ç’rast viktima është transportuar me ndihmën e qytetarëve deri në Spitalin Rajonal në Pejë dhe përkundër përpjekjeve të ekipit emergjent mjekësor për t’i shpëtuar jetën i njëjti ka ndërruar jetë në ora 16:04.

“Ndërsa viktima tjetër F.G. është hasur nga policia në vendin e ngjarjes, në një pozitë gjysmë të shtrirë me një pistolete në dorë, ai kishte dy plagë nga arma e zjarrit. Policia e çarmatos personin dhe njofton autoambulancën e cila nga vendi i ngjarjes e transporton viktimën ne spitalin rajonal Pejë”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Policia pastaj lokalizon dhe arreston personin e dyshuar nga i cili e konfiskon armën me të cilën është plagosur viktima F.G., po ashtu ka konfiskuar mjetin (sëpatën) me i cilën është plagosur viktima I.G. (tani i vdekur).

“Sipas njoftimit mjekësor gjendja shëndetësore e personit të plagosur është e rëndë, por stabile. Rasti është duke u hetuar nga hetuesit rajonal DRP Pejë, në bashkëpunim të plotë me prokurorin e shtetit”, thuhet në njoftimin e Policisë.

KALLXO.com raportoi për këtë incident të rëndë që ka ndodhur sot në Pejë.

http://kallxo.com/nje-vrare-e-nje-plagosur-ne-peje/