ILUSTRIM: Arrestim i një të dyshuari - Foto: KALLXO.com

Arrestohet i Dyshuari në Prishtinë, Tentoi të Vriste Tre Policë

Policia njofton se sot rreth orës 03:00 ka marrë informacionin për një rast vjedhjeje në progres në rrugën “Idriz Gjilani” në lagjen “Dardania”, në Prishtinë.

Pas marrjes së informacionit, Policia ka dalë në vendin e ngjarjes, ku në gjendje flagrante ka hasur në personin e dyshuar, i cili në përpjekje për t’iu shmangur arrestit policor me shpejtësi është futur në automjetin “Golf V”, ngjyrë e zezë, dhe në ikje e sipër nga vendi i ngjarjes i njëjti me automjetin në fjalë ka goditur tre zyrtarët policorë që kanë qenë në vendngjarje, duke u shkaktuar lëndime të rënda trupore.

Në të njëjtën kohë i dyshuari ka goditur – aksidentuar edhe automjetin policor, duke shkaktuar dëme materiale të konsiderueshme.

Zyrtarët policorë duke marrë në konsideratë faktin se veprimet e të dyshuarit përbënin një kërcënim të drejtpërdrejt, potencialisht të rrezikshëm për jetën e tyre domosdoshmërish janë detyruar të përdorin armën e zjarrit me qëllim të neutralizimit të veprimeve të tilla të rrezikshme.

Me këtë rast i dyshuari A. Sogojeva,  mashkull, 28 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës, ka marrë lëndime trupore për çfarë i është ofruar ndihma mjekësore në QKUK dhe aktualisht është jashtë rrezikut për jetë dhe në gjendje të mirë shëndetësore.

Policia njofton përmes një komunikate se zyrtarët policorë të lënduar në këtë rast kanë marrë trajtimin e nevojshëm mjekësor dhe përkundër lëndimeve të shumta  janë në gjendje shëndetësore të qëndrueshme.

“Ndaj të dyshuarit me rekomandimin e prokurorit të shtetit është shqiptuar masa e arrestit policor prej 48 orësh”, njofton Policia.

Përveç operacionit të bastisjes i ndërmarrë sot përkitazi me rastin, policia në koordinim me prokurorin e shtetit dhe mekanizmat e tjerë përkatës po kryejnë edhe veprimet e tjera të nevojshme hetimore dhe procedurale me qëllim të sqarimit dhe zbardhjes së të gjitha rrethanave që karakterizojnë këtë ngjarje.