Policia e Kosovës. Ilustrimi: Kallxo.com
Arrestohet Burri që Rrahu Vajzën e Fqinjit në Rakosh të Istogut
Policia e Kosovës ka arrestuar një person në fshatin Rakosh të Istogut si të dyshuar për rrahjen e fëmijës së një fqinji.
Ngjarja ka ndodhur sot rreth orës 16;00 në këtë fshat.
“Rreth orës 16:10 policia ka marrë informatë se një person i moshuar ka rrahur një fëmijë”, tha për Kallxo.com, zëdhënësi i Policisë për rajonin e pejës, Driton Rugova.
Rasti të cilin policia e ka cilësuar si “lëndim i lehtë trupor” është duke u hetuar nga ana e Policisë ndërsa viktimës i është ofruar ndihma mjekësore.
“Fëmija është dërguar për trajtim mjekësor ndërsa i dyshuari është ende duke u intervistuar në objekte të policisë. Rasti është duke u hetuar”, tha zëdhënësi Rugova.
Babai i fëmijës, B.H., i cili bashkë me familjen e tij kanë ardhur për pushime nga Gjermania në fshatin e lindjes, tha për Kallxo.com se fqinji e ka rrahur vajzën e tij 8 vjeçe me thupër.
Ai tha se sapo të kthehet në Gjermani do t’ia vazhdojë vajzës së tij trajtimin psikologjik.