Foto: BIRN

Arrestohet Boshnjakja e Dyshuar për Vrasjen e një Fëmije

Prokuroria shtetërore e Bosnjës njoftoi se ish-anëtarja 56-vjeçare e Ushtrisë Boshnjake, Elfeta Veseli, është arrestuar në kantonin Nojshatelit në Zvicrën perëndimore dhe se procedurat e ekstradimit të saj do të fillojnë së shpejti.

Veseli dyshohet se ka vrarë Sllobodan Stojanoviqin, një 12-vjeçar serb, në një mënyrë tepër brutale pranë fshatit Kamenicë në zonën e Zvornikut në vitin 1992, duke vepruar në bashkëpunim edhe me persona të tjerë.

“Prokuroria është informuar se e dyshuara kundërshtoi ekstradimin me dëshirë nga Zvicra në Bosnjë dhe Hercegovinë sipas një procedure më të thjeshtëzuar, kështu që masat për ekstradimin dhe dëbimin e saj në Bosnjë dhe Hercegovinë, ku ajo do të dalë në gjyq, do të fillojnë në vazhdim”, njoftoi Prokuroria në një deklaratë.

Veseli u përmend fillimisht në një deklaratë nga prokuroria boshnjake vitin e kaluar, kur ish-gjenerali i Ushtrisë Boshnjake Naser Oriq, i cili udhëhoqi forcat boshnjake në betejat kundër trupave serbe në Srebrenicë, u akuzua për krime lufte kundër të burgosurve serbë në zonë në vitin 1992.

Në gusht 2015, prokuroria boshnjake u shpreh se Oriq dhe ushtari i Ushtrisë Boshnjake Sabahudin Muhiq vranë tre të burgosur serbë të Bosnjës në fshatrat Zalajze, Lolici dhe Kunjerac në vitin 1992. Gjyqi i tyre tani është në vazhdim.

Në atë kohë, prokuroria boshnjake tha gjithashtu për BIRN se brenda të njëjtës çështje ata do t’i paraqisnin një kërkesë autoriteteve zvicerane për ekstradimin e Veselit.