Foto: Ilustrim

Arrestohen Vjedhësit e Baterive

Policia ka njoftuar se janë identifikuar tre persona në dyshimin kanë vjedhur tetë bateri të cilat prodhojnë energji elektrike.

Vjedhja sipas policisë ishte bërë më 6 nëntor 2017, ndërsa dy nga të dyshuarit për këtë vjedhje janë arrestuar, ndërsa i treti ndodhet në arrati.

Sipas njoftimit të policisë së rajonit të Gjilanit, më 10 nëntor ankuesi me inicialet A. B, ka raportuar në polici së gjatë orëve të mëngjesit të 6 nëntorit dikush i kishte vjedhur tetë bateri, të cilat janë përdorur për prodhimin e energjisë elektrike në plantacionin e tij në fshatin Sllakofc, fshat ky në Komunën e Gjilanit.

Vlera e këtyre baterive sipas ankuesit ka qenë 3 mijë e 200 euro.

Më tutje në njoftim thuhet se pas një pune operative dhe dëshmive të siguruara policia ka arritur që të identifikojë tre persona.

Të dyshuarit me inicialet K. S dhe E. A janë arrestuar, ndërsa i dyshuari i tretë F. S është në arrati.

Të dyshuarit janë nga Ferizaj.

Me urdhër të prokurorit, njëri nga të dyshuarit është ndaluar për 48 orë, një tjetër është dërguar në qendrën e paraburgimit për vuajtje të dënimit për vepra të tjera të kryera, ndërsa i dyshuari i tretë është në kërkim nga policia.