Foto-ilustrim | KALLXO.com

Arrestohen Tre Pejanë të Dyshuar për Grabitje në Prizren

Policia bëri të ditur se pas një pune operative-hetimore të  pandërprerë  në bashkëpunim të ngushtë në mes të hetuesve rajonalë të Prishtinës dhe Prizrenit është arritur që të identifikohen tre të dyshuar nga  rajoni i  Pejës të cilët si pjesë e grupit   diku rreth mesnate kanë kryer grabitje të armatosur në barnatoren “Aspirin C” në Rrugën e “Jonit” në Prizren.

“Sipas hetuesve, të dyshuarit kishin arritur që me kanosje serioze dhe me forcë të grabisnin  nga sirtarët një sasi të parave dhe  një telefon celular ‘Iphone 4S’ dhe më pas janë larguar në drejtim të panjohur.” tha zëdhënësi i policisë për regjionin e Prizrenit, Hazir Berisha.

Ai, po ashtu, njoftoi se pas identifikimit të grabitësve  janë bastisur disa lokacione dhe në njërin është gjetur telefoni i cili dyshohet të jetë përfituar në mënyrë të kundërligjshme dhe një pistoletë me mbishkrim “ME Police kalibri 8mm” dhe të njëjtat do të përdoren në cilësi të provave materiale në procese të mëtejme gjyqësore.

Tre të dyshuarit, pas arrestimit, janë intervistuar në prani të avokatëve mbrojtës në Policinë e Pejës.

Sipas komunikatës së policisë, në operacion janë përfshirë edhe hetues nga Peja dhe po ashtu gjatë intervistave është kuptuar se të dyshuarit kishin kryer edhe shumë vepra tjera të ngjashme për të cilat janë siguruar prova dhe dëshmi materiale.

“I pyetur për paratë e grabitura nga të dyshuarit, njëri nga të dyshuarit tha se paratë janë bërë ‘rrush e kumbulla’ nëpër lokale të natës me muzikë,” tha zëdhënësi Berisha.

Prokurori i shtetit ka urdhëruar që të dyshuarit të ndalen nën masën e arrestit policor.

Në shtator të vitit të kaluar ishte arrestuar një person për tentim-grabitje në një barnatore të Prizrenit.

http://kallxo.com/arrestohet-dyshuari-per-tentim-grabitje-ne-barnatore/

Edhe në Prishtinë më 30 janar dy persona të armatosur grabitën para nga punëtorët e një barnatoreje në Prishtinë.

http://kallxo.com/grabitje-arme-ne-nje-barnatore-te-prishtines/

Të dyshuarit për këtë grabitje u arrestuan pesë ditë më parë.

http://kallxo.com/arrestohen-personat-qe-grabiten-barnatoren-ne-kryeqytet/