Foto: Ilustrim

Arrestohen të Dyshuarit për Keqpërdorim të Emrave të Gjyqtarëve e Prokurorëve

Policia e Regjionale e Prizrenit të premten arrestoi dy persona në këtë qytet, për shkak të dyshimit se keqpërdorën emrat e gjyqtarëve dhe prokurorëve duke falsifikuar në emër të tyre keqpërdorime me prona.

Të dyshuarit janë S.H dhe D.H. babë e bir, ndërsa atyre u janë bastisur shtëpia ku jetojnë dhe lokali ku punojnë.

Lajmin për KALLXO.com e konfirmoi kryeprokurori i ri në Prizren, Admir Shala.

“Të arrestuarit dyshohen për katër vepra penale. Ndaj tyre qysh nesër do të kërkojmë nga gjykata caktimin e masës së paraburgimit,” tha kryeprokurori Shala.

Ai bëri të ditur se të arrestuarit dyshohen për falsifikim të dokumenteve, raste të posaçme të keqpërdorimit të dokumenteve, mashtrim dhe falsifikim i instrumenteve të pagesës.