Arrestim i një të dyshuari - Foto: KALLXO.com

Arrestohen nën Dyshimin se Lidhën dhe Grabitën Anëtarët e Një Familjeje

Policia ka njoftuar se tre persona janë arrestuar pasi dyshohet se janë të përfshirë në një grabitje që ka ndodhur në muajin korrik të këtij viti në fshatin Dumosh të Podujevës.

Sipas njoftimit, një operacion i policisë në lidhje me kapjen e personave që janë të involvuar në grabitje të armatosura, ka rezultuar me arrestimin e 25 vjeçarit B. Zeneli, 41 vjeçarit F. Sejdiu dhe 26 vjeçarit R. Islami.

Sipas njoftimit të policisë rasti ka ndodhur më 07 korrik të këtij viti në fshatin Dumosh të Podujevës, ku personat e dyshuar pasi kanë lidhur viktimat ku përfshihen edhe fëmijë nën kërcënimin e armëve kanë arritur që nga shtëpia e viktimave të marrin një shumë të konsiderueshme parash, sasi të stolive të arit, një veturë si dhe gjësende të tjera me vlerë.

Aksioni i policisë për arrestimin e personave të dyshuar ka filluar më 05 tetor kur është arrestuar personi i parë i dyshuar. Ndërsa më 15 dhe 16 nëntor janë arrestuar edhe dy personat e tjerë.

Për të arrestuarit është shqiptuar masa e ndalimit prej 48 orëve, ndërkohë që hetuesit policorë me Prokurorinë e Shtetit janë duke bashkërenduar veprimet e tyre hetimore për të ndriçuar edhe ndërlidhjen eventuale të këtyre personave me raste të tjera të grabitjeve.

KALLXO.com ka shkruar edhe për raste tjera të grabitjeve.