Foto: Ilustrim

Arrestohen Dy të Dyshuar për Vrasjen e Djeshme

Rasti ka të bëjë me personin K.M., 31-vjeçar, që u gjet i vdekur dje në mëngjes në lumin Sitnica, në Vushtrri.

Familjarët e të ndjerit më 7 gush, rreth orës 01:50, në Stacionin Policor Vushtrri kishin raportuar zhdukjen e familjarit të tyre që nga orët e para të mesnatës të datës 6 gusht. Ai kishte dalë nga shtëpia dhe nuk dihej vendndodhja e tij.

Pesë orë më vonë, ndërkohë që Policia kishte iniciuar rastin, rreth orës 07:25 të datës 7 gusht,  Policia ka pranuar informacion se në lumin Sitnica  nga ana e familjarëve ishte gjetur pa shenja jete trupi i viktimës.

Në vend ngjarjes kishin dalë të gjitha njësitë e nevojshme policore përfshirë edhe prokurorin e rastit.

Pas përfundimit të këqyrjes së vendit të ngjarjes, nga ana e prokurorit të rastit është urdhëruar që trupi i pajetë i viktimës të dërgohet për obduksion mjeko-ligjor.

Bazuar në raportet preliminare të hetuesve policor dhe dyshimet e ngritura, nga ana e prokurorit të rastit është  kualifikuar si “Vrasjes e rëndë”.

Mbi dyshimet e bazuara në orët e mbrëmjes të datës 7 gusht 2017, hetuesit policorë kanë identifikuar dhe arrestuar dy persona të dyshuar për vepër penale ’’vrasje e rëndë”.

Përveç arrestimit, hetuesit policorë kanë realizuar edhe kontroll në shtëpinë e të dyshuarve, me ç’ rast janë gjetur prova materiale që ndërlidhen me veprën penale.

Me urdhër të prokurorit të rastit dy të dyshuarve u është caktuar masa e ndalimit prej 48 orëve.

Policia Rajonale e Mitrovicës njofton se hetuesit policorë nën udhëheqjen e prokurorit të rastit janë  duke zhvilluar hetime për zbardhjen plot të rrethanave të këtij rasti.