Arrestimi i Pjesëtarit të UÇK-së në Gjakovë, Lajm i Rremë

Lajmi i raportuar sot nëpër portalet kosovare për arrestimin e një ish pjesëtari të UÇK-së në Gjakovë, B.V., del të jetë i rremë.

Policia e Kosovës konfirmoi për KALLXO.com se nuk ka arrestuar asnjë person sot në Gjakovë.

E tëra duket të jetë një shaka mes shokëve që ka ndodhur në oborrin e Gjykatës Themelore në Gjakovë, e cila më vonë u prodhua në lajm për portalet kosovare.

Burime të KALLXO.com thonë se në shaka, shokët e B.V. e kanë marrë atë nga oborri i gjykatës “kinse me zor” për të shkuar për peshkim.

“Nuk ka ndodhë një arrestin i tillë, është vetëm dezinformatë. Policia e Kosovës i inkurajon qytetarët që për informacione të tilla t’u referohen vetëm burimeve zyrtare dhe të mos bien pre e dezinformatave”, tha për KALLXO.com, zëdhënësi i Policisë, Daut Hoxha.

Edhe kryetari i Gjykatës Themelore në Gjakovë, Vaton Durguti, përgënjeshtroi lajmin e dhënë se një person është arrestuar brenda rrethojave të objektit të Gjykatës.

Në bazë të informacioneve nga sigutimi dhe kamerat e sigurisë, nuk figuron të jetë arrestuar dikush brenda gjykatës. Të paktën jo i lidhur në pranga, ashtu siç është raportuar”, tha Durguti për KALLXO.com.