Foto: Ilustrim

Arrestime për Sulm ndaj Policëve

Policia në Mitrovicë njoftoi se arrestoi katër persona- 42 vjeçin Rr. B., 31 vjeçin F. B., 19 vjeçin K. B. dhe 16 vjeçin L. B.,  të dyshuar për sulm ndaj policisë.

Ngjarja është raportuar të ketë ndodhur rreth orës 16:20 në Rrugën “Mbretëresha Teutë” në Mitrovicë, në kohën kur zyrtarët policorë ishin në kryerje të detyrës zyrtare.

Sipas njoftimit, zyrtarët policorë kishin ndaluar një veturë pasi drejtuesi i saj kishte kryer kundërvajtje.

“ Zyrtarët policorë kishin shqiptuar gjobën përkatëse, ku gjatë kohës së shqiptimit të gjobës ndaj kundërvajtësit- të dyshuarit Rr. B. 42 vjeçar, në vendngjarje kishin ardhur edhe tre të dyshuarit tjerë F. B. 31 vjeçar, K. B. 19 vjeçar dhe L. B. 16 vjeçar, të cilët kanë sulmuar fizikisht zyrtarët policorë, me ç’ rast tre zyrtarë policorë kanë pësuar lëndime dhe kanë kërkuar tretman mjekësor,” thuhet në njoftim.

Tre të dyshuarve pas procedurave intervistuese me vendim të prokurorit publik u është caktuar masa e ndalimit policor, ndërsa 16 vjeçi me inicialet L. B. është liruar për procedurë të rregullt.

Ndaj të arrestuarve është iniciuar rasti për veprat penale sulm ndaj personit zyrtar në kryerje të detyrës zyrtare dhe lëndim trupor.