ARKEP: Operatori i Përkohshëm me Thirrje Lokale me Serbinë

Kreshnik Gashi thotë se ARKEP-it do t’i duhen 18 muaj për të kryer procedurat e nevojshme teknike që mundësojnë që të gjithë operatorët të përdorin vetëm Kodin +383. Deri në qershor të vitit 2018, thirrjet drejt Serbisë përmes kodit +381 nuk do të jenë thirrje ndërkombëtare.

Thirrjet telefonike nga Kosova për në Serbi dhe anasjelltas që do të bëhen nga operatori serb do të llogariten si thirrje lokale, deri sa të hiqen të gjitha kodet që aktualisht përdoren në Kosovë. Kjo është konfirmuar nga ana e Kryetarit të Bordit të Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare, ARKEP, Kreshnik Gashi, në një intervistë për KALLXO.COM.

NDËRLIDHUR

Kosova dhe Serbia kanë arritur një marrëveshje të dielën në Bruksel që Kosova ta ketë kodin e vet telefonik duke i dhënë fund operimit të telefonisë kosovare me kode të shpërndara të Monakos, Sllovenisë e Serbisë.

Nga ana tjetër, partitë opozitare e kanë kritikuar këtë marrëveshje.

Por Gashi thotë se ARKEP-it do t’i duhen 18 muaj për të kryer procedurat e nevojshme teknike që mundësojnë që të gjithë operatorët të përdorin vetëm Kodin +383. Deri në qershor të vitit 2018, thirrjet drejt Serbisë përmes kodit +381 nuk do të jenë thirrje ndërkombëtare.

“Thirrjet telefonike që do të jenë nga operatori serb në drejtim të Serbisë dhe çdo drejtim tjetër do të jenë thirrje ndërkombëtare pas implementimit të kodit shtetëror telefonik. Deri në implementimin e kodit shtetëror dhe periudhën e migrimit ku do të përdoren dy kode , do të përdoren kode të ndryshme që përdoret kodi 377, 386, kodi 381 do të përdoret paralelisht deri në implementimin e kodit telefonik shtetëror”, tha Gashi.

Ai megjithatë deklaroi se operatori i përkohshëm përveç të tjerash do të ketë edhe kufizime territoriale gjeografike të operimit. Operatori Serb do të operojë vetëm në rreth 20 për qind të territorit të Kosovës, aq sa i ka aktualisht.

“Operatori i përkohshëm do të ketë shtrirje të limituar gjeografike, ai do të ketë shtrirje të limituar në numrin e stacioneve bazë dhe në pjesën gjeografike që e mbulon, sigurisht që asnjë operim nuk e diskriminon asnjë etnicitet as pozitivisht , as negativisht si rezultat çdo qytetar i çdo etnie mund të marrë numrat e caktuar, mirëpo kur flasim për operime të caktuara që operojnë vetëm në pjesë të caktuara të Kosovës do të jetë vështirë e besueshme që një qytetar, po e zëmë nga Prizreni apo Gjakova të marrë numër i cili funksionon vetëm në një pjesë shumë të limituar të territorit të Kosovës, po e zëmë në 15 përqind, 20 përqind të territorit të Kosovës apo më pak”, tha Gashi.

Serbia Pronare e Operatorit të Përkohshëm

Ai tha se pas përfundimit të migrimit, thirrjet drejt Serbisë dhe shteteve të tjera do të jenë thirrje ndërkombëtare.

Gashi thotë se brenda dy vjetëve, Qeveria mund të finalizojë tenderin për telefoninë e tret mobile në Kosovë. Përzgjedhja e telefonisë së tretë, sipas Gashit, do të thotë edhe fundi i operimit të operatorit të përkohshëm.

E operatori i tretë i telefonisë mobile, sipas Gashit, nuk është e domosdoshme që të jetë nga Serbia.

“Tenderi për telefoninë e tretë do të jetë plotësisht bazuar në standardet europiane të ITU në lidhje me telefoni. Nuk do të ketë asnjë mundësi që të favorizohet asnjë kompani. Kjo në fakt është e nënshkruar edhe në marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ku i referohet edhe hyrjes së operatorit të tretë, përkundrazi marrëveshja i promovon standardet dhe rregullat e BE-së”    , konstatoi Gashi.

Gjatë ditës, KALLXO.com raportoi se kompania shtetërore serbe e telefonisë mobile figuron e regjistruar në regjistrin e bizneseve në Kosovë që nga tetori i vitit të kaluar.

15 Nëntor 2016 - 15:05

Doruntina Baliu 15/11/2016 - 15:05
NDËRVEPRIMI0

ARKEP: Operatori i Përkohshëm me Thirrje Lokale me Serbinë

by Doruntina Baliu
NA NDIQNI