Arben Vitia Zëvendëson Ylli Hoxhën në Degën e VV-së në Prishtinë

Kryesia e Lëvizjes Vetëvendosje ka zgjedhur koordinator të Qendrës në Prishtinë drejtorin e Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës, Arben Vitian.

Kështu ka njoftuar Lëvizja Vetëvendosje përmes një komunikate për media.

“Në këtë fazë tranzitore drejt zgjedhjeve të brendshme, me votë unanime, z. Vitia ka marrë besimin e Kryesisë për kryesimin e Qendrës më të madhe të Lëvizjes Vetëvendosje!”, thuhet në njoftimin e Vetëvendosjes.

Vetëvendosje ka treguar edhe arsyet e zgjedhjes së Vitisë në këtë detyrë.

“Puna prej aktivisti të Lëvizjes, e gjithashtu puna që prej shumë vitesh në institucione e bën z. Vitia person kompetent dhe të duhur për këtë përgjegjësi të re me të cilën e ka ngarkuar Kryesia”, thuhet tutje në njoftim.

Ky post i brendshëm në Vetëvendosje kishte mbetur vakant, pasi që Ylli Hoxha kishte dhënë dorëheqje nga pozita e kryetarit të qendrës pas zgjedhjeve lokale në Prishtinë.