Foto-ilustrimi: KALLXO.com

Arben Gashi e Ramush Haradinaj Përlahen 'Dukagjinçe' në Kuvend

Kryeministri Ramush Haradinaj dhe deputeti i LDK-së Arben Gashi janë përfshirë në një debat me fjalë burrnore dhe jashtëparlamentare.

Pasi Kryeministri Ramush Haradinaj tha se “LDK-ja na ka lënë pa ushtri”, duke folur për periudhën kur deputetët serbë në Kuvend kishin pranuar të votojnë për krijimin e forcave të armatosura në këmbim për mandate të rezervuara edhe për katër vjet, reagoi deputeti i LDK-së Arben Gashi.

Gashi mohoi fjalët e kryeministrit, ndërsa Haradinaj i tha se “po rren”.

Pasi Haradinaj përfundoi fjalën e tij, deputeti Gashi kërkoi replikë.

“Na të njohim për burrë të fortë e trim, po mos meno që na jem të lig”, tha Gashi, duke ia kujtruar haradinajt se po i fliste dukagjinçe.

“Ajo çka po thu këtu është e pasaktë, fjala ofendimet, rrenë e gjuhë tjera, mos i përdor se nuk janë në të mirë as të Kuvendit e as tanen”, tha Gashi.

Në kundër-replikën e tij Haradinaj tërhoqi fjalët që i tha Gashit në lidhje me rrenat.

“Arben, faleminderit për korrigjimin në shprehje, e tërhjeki atë. Materia për të cilën fola unë po e vlerësoj që e ke një pikëpamje të caktume dhe po e mbron, por po të siguroj me krejt çka di që na u ka ofrue edhe e kem pasë dakordimin e serbëve për me votu ushtrinë në atë kohë”, tha Haradinaj.