Arbana Xharra gjat

Arbana Xharra Aderon në PDK Për ta Kritikuar ‘Edhe Nga Brenda’

Në konferencën për shtyp në të cilën ajo u paraqit krah kryetarit të partisë, Kadri Veseli, Xharra tha se ka ardhur në PDK “pa asnjë kusht”.

Aderimi i saj në PDK erdhi pas disa viteve të artikujve dhe komenteve kritike që Arbana Xharra i kishte bërë ndaj PDK-së dhe mënyrës së saj të qeverisjes.

Kur u pyet nga gazetarët për këtë, ajotha se qëndron para gjitha atyre që ka shkruar.

“Të gjitha shkrimet i keni online, asnjë nuk është fshirë. Do të vazhdoj të jem kritikuese e partisë edhe nga brenda. Nuk kam ardhur në PDK për asnjë pozitë konkrete. Kam ardhur pa asnjë kusht. Z. Veseli më ka kërkuar që jem ajo që kam qenë”, tha Xharra.

Ajo tha se ka qenë pDK që i ka ofruar hapësirë për veprim.

“Ju premtoj që do të vazhdoj të punoj me dinjitet. Do të vazhdoj të jem zëri i qytetarëve të Kosovës”, tha Xharra.

Ndërsa Veseli tha se pa fuqizimin e grave, nuk mund të kemi as integrim të suksesshëm euro-atlantik as transformim të fuqishëm të shoqërisë

“E kam ndjekur punën e Arbana Xharrës si gazetare… e pashë se ishte e përkushtuar për të mirën e vendit tonë. E kam ftuar që ta ndaj me ne përkushtimin e saj brenda sistemit tonë politik në PDK”, tha Veseli.

Arbana Xharra ka filluar karrierën si gazetare e ekonomisë në ‘Koha Ditore’ para rreth 15 viteve ndërsa që nga viti 2013 ka qenë kryeredaktore e të përditshmes “Zëri”.